Futboll

Zhegrova kritikohet edhe nga Tacchinardi

Edon Zhegrova

Ish-mesfushori i Juventusit, Alessio Tacchinardi, është kritiku i radhës i Edon Zhegrovës.

Tacchinardi, që për kohë të gjatë ka luajtur për “Zonjën e Vjetër”, përveç Zhegrovës kritika pati edhe për Teun Koopmeinersin dhe Lois Opendan. 

Ai ka folur gjatë në një intervistë për “SportMediaset”, pas eliminimit të Juventusit nga Kupa e Italisë. 
Juventusi humbi 3:0 në udhëtim tek Atalanta,të enjten mbrëma, në çerekfinale të Kupës së Italisë.

“Rezultati ishte shumë i rëndë për Juventusin sepse bëri paraqitje të mirë. Ka krijuar shumë shanse para penalltisë, që për mua nuk ekzistoi. Juventusi luan futboll të mirë, por e pagoi shtrenjtë çmimin pasi nuk arriti t’i finalizonte sulmet”. 

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka thënë pas ndeshjes se lojtarët e tij në disa raste morën vendime të gabuara.

Jonathan David e nisi ndeshjen në Bergamo, por nuk shënoi gol. Sulmuesi kanadez ishte në formë të mirë në javët e kaluara, duke shënuar katër herë në pesë ndeshjet e fundit të Serie A. 

“Mendoj se Juventusi dëshironte sulmues me karakteristika të ndryshme sepse ai e dëshiron topin në zonë dhe lufton, por nuk është e mjaftueshme dhe ende nuk e ka shfaqur potencialin”, ka thënë Tacchinardi. 

“Juventusi ka shumë ndeshje të vështira në muajin e ardhshëm, dhe David e Openda nuk janë duke e rritur nivelin. Shoh lojtarë që mundohen, por kanë vështirësi. Edhe rezervistët e Juventusit kanë vështirësi, por Spalletti nuk mund t’i përdorë 11 lojtarë dhe të gjithë duhet të përmirësohen.

Koopmeiners, Openda dhe Zhegrova nuk po japin asgjë, por i duhen Spallettit para muajit shumë të vështirë”, ka shtuar Tacchinardi. 

Gjiganti i Serie A, Juventusi, do të përballet me Lazion në ndeshjen e ardhshme në Serie A, të dielën, para se ta vizitojë Interin më pas.