Futboll

Zeniti kthen interesimin për Mirlind Dakun

daku

Klubi i njohur rus, Zenit St. Petersburg, ka shprehur sërish interesim për transferimin e sulmuesit të Rubin Kazanit dhe Shqipërisë, Mirlind Daku.

Mediume të ndryshme ruse kanë shkruar për mundësinë e transferimit të Dakut në Zenit. 

Për transferimin e mundshëm të Dakut te Zeniti ka dhënë koment edhe ish-drejtori sportiv i kësaj skuadre. 

“Nëse Zeniti do ta donte vërtet Dakun, shqiptari do të ishte tashmë në klub. Por diçka ndodhi dhe transferimi dështoi. Cilësitë e Dakut pa dyshim që i përshtaten ekipit të Zenitit”, ka thënë Igor Korneev.

Daku luan që nga viti 2023 për Rubin Kazanin. Ka 84 ndeshje për klubin rus në të gjitha garat. Ka shënuar 35 gola dhe ka asistuar dhjetë herë.

Zeniti ishte prej klubeve të mëdha ruse që shprehën interesim gjatë verës së kaluar për transferimin e reprezentuesit të Shqipërisë. Madje u raportua se Zeniti kishte arritur marrëveshje me Rubinin. Por lëvizja nuk u realizua. 

Zeniti nuk arriti marrëveshje me Dakun, ndërsa u raportua se arsyet për këtë nuk ishin vetëm sportive.

Ka pasur spekulime se Zeniti hoqi dorë nga Daku për veprimin e tij në “Euro 2024”, e po ashtu për përmbajtjen e tatuazhit të tij, që e ka në nderim të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana. 

Pas një ndeshjeje me Shqipërinë në Evropianin 2024, Daku e mori megafonin dhe e nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas.

Daku është sulmuesi kryesor i Rubin Kazanit.

Krahas Zenitit është raportuar se interesim kanë shprehur edhe tri klube të Bundesligës: Augsburgu, Mainzi dhe Hamburgu.

Menaxhmenti i Dakut beson se largimi i tij mund të ndodhë në verë.

“Ka shumë interesim për Dakun, por nuk mendojmë se afati i dimrit është kohë e mirë për një transferim”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të Dakut për mediumin rus “Championat”.

Daku në korrik të vitit të kaluar vazhdoi kontratën me Rubin Kazanin deri në vitin 2029.