Futboll

Paga vjetore e Dakut te Rubin Kazani do të jetë 3 milionë euro

Mirlind Daku

Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, ka zgjatur kontratën e tij me Rubin Kazanin, raportoi Ivan Karpov, gazetar i mediumit rus “Telegram”.

Sipas gazetarit rus, marrëveshja e Rubin Kazanit me futbollistin 27-vjeçar do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029.

Paga e Dakut do të jetë 3 milionë euro në sezon. Siç shkruajnë në Rusi, me kontratë të vjetër, Daku kishte pagë vjetore prej 700 mijë eurosh.

Më herët ishte raportuar se Zeniti ishte i interesuar për transferimin e Dakut nga Rubin Kazani. Sipas raportimeve në Rusi, Zeniti kishte arritur marrëveshje me Rubin Kazanin, por jo edhe me sulmuesin e Shqipërisë. Daku nuk kishte pranuar pagë prej 2.2 milionë eurosh në sezon të ofruar nga Zeniti. Ai kishte kërkuar pagë vjetore prej 3.5 milionë eurosh, shumë të cilën ekipi i madh rus nuk kishte pranuar t’ia ofronte sulmuesit të Shqipërisë.

Ka pasur po ashtu raportime se dështimi i marrëveshjes mes Dakut dhe Zenitit nuk ishte vetëm për shkak të aspektit financiar. Sipas raportimeve, Zeniti kishte hezituar ta angazhonte Dakun edhe për shkak të veprimit të tij gjatë “Euro 2024”. Pas një ndeshjeje me Shqipërinë ai mori megafonin dhe nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas. I është përmendur edhe tatuazhi që mban në nderim të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana.

Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar të Premier Ligës ruse të futbollit. Shënoi 15 gola. Por në sistemin gol-asist, Daku ishte më efikasi i elitës ruse të futbollit.

Edhe dy klubet e tjera të Moskës, Dinamo dhe Lokomotiva kishin shprehur interesim për Dakun. Por ai, siç raportojnë në Rusi, ka vendosur të mbetet edhe më gjatë pjesë e Rubin Kazanit.

Daku është lojtari më i mirë i kësaj skuadre. Daku është nga Kosova, por luan për Shqipërinë.

Ai ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me Rubin Kazanin.

Me Dakun te Rubin Kazani luajnë edhe Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha.