Mesfushori i ekipit belg, Union SG, Besfort Zeneli, ka thënë se Suedia mund të arrijë sukses të madh në Kampionatin Botëror të futbollit që fillon më 11 qershor.
Zeneli ka thënë se Suedia e ka sulmin “ndoshta më të mirë në botë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIsh-futbollisti i Kosovës U21, Zeneli, është në mesin e lojtarëve të ftuar nga Suedia për Kupën e Botës që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Reparti ynë sulmues është ndoshta më i miri në botë dhe në përgjithësi kemi një ekip të mirë. Me forcën që kemi, mund të shkojmë larg”, ka thënë Zeneli për emisionin sportiv të televizionit suedez, “TV4”.
Sulmuesit Viktor Gyokeres e Alexander Isak janë yjet e mëdha të Suedisë.
Zeneli dha kontribut që Suedia ta sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës.
Viktor Gyokeres shënoi golin e fitores 3:2 ndaj Polonisë në finale të plejofit, pas topit të kthyer nga shtylla të cilën e qëlloi Zeneli.
Paraqitja ndaj Polonisë ishte e gjashta për Suedinë A e kosovarit. 23-vjeçari para se t’i bashkohej Suedisë, nga viti 2022 deri në vitin 2024 luajti për Kosovën U21.
Te Suedia A ka debutuar më 22 mars të vitit 2025.
Mesfushori është i lumtur që do të jetë pjesë e Suedisë në Botëror.
Në Botëror, suedezët janë në Grupin F, kurse do të luajnë me Tunizinë, Holandën e Japoninë.
“E pabesueshme. Është gjëja më e madhe që mund të përjetosh si futbollist. Të shkosh në SHBA dhe të përfaqësosh vendin tënd , nuk ka asgjë më të madhe”, thotë Zeneli, i cili ekipit belg Union SG iu bashkua në janar nga Elfsborgu suedez.
Ai thotë se në familje kishte lot gëzimi për ftesën nga Suedia.
“Pak para se Graham Potter të fillonte me mesfushorët dhe sulmuesit, pashë se kishte njerëz që po shkruanin, po telefononin dhe se telefoni im vibronte vazhdimisht. Mendova: ‘Çfarë po ndodh?’. Nuk e dija nëse ishte mirë apo keq, por supozova se ishte mirë. Pastaj më telefonuan vëllezërit dhe babai. Bëmë një bisedë. Babai qau dhe ishte bukur”, është shprehur ai.
Zeneli me Union SG ka kontratë deri në vitin 2030. Por gjasat janë të mëdha që pas Botërorit të bëjë tjetër hap para në karrierë.