Futboll

Zabërgja synon të lërë gjurmë në Ukrainë

Baton Zabergja

Brenda dy ditësh, klubi i futbollit Metalist 1925, bëri dy njoftime për Baton Zabërgjën. Në njoftimin e parë, të martën, klubi elitar i Ukrainës prezantoi sulmuesin e Kosovës. Një ditë më vonë, të mërkurën, Metalist 1925 bëri të ditur se sulmuesi i tyre, Zabërgja, ka marrë ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës 2026.

Zabërgja iu bashkua klubet elitar të Ukrainës nga Dinamo City i Tiranës. Ai shkëlqeu te Dinamo City i Tiranës. Dhe falë paraqitjeve në ekipin e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, Zabërgja ishte prej lojtarëve më të kërkuar gjatë verës. Por Zabërgja në fund zgjodhi Metalist 1925. Ai ka nënshkruar kontratë për tre vjet me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Zabërgja ka plane të mëdha për të ardhmen e tij.

Në Ukrainë ai synon të lërë gjurmë.

“Jam shumë i kënaqur me këtë lëvizje që kam bërë. Kalimi te Metalisti do të thotë edhe më shumë punë, përgjegjësi për mua, për synimet e mia personale dhe të klubit po ashtu. Synimi im është të lë gjurmë edhe në këtë kampionati. Besoj se me punë dhe përkushtim mund t’ia dalë. Do të përgatitem këtu edhe më shumë për hapin e radhës në karrierë”, ka thënë Zabërgja të premten për KOHËN.

Me Dinamo Cityn, Zabërgja fitoi Kupën e Shqipërisë. Pati paraqitje të mira edhe në garat evropiane të edicionit 2025/26.

Ai luajti 83 ndeshje për Dinamo Cityn, ndërsa shënoi 23 gola dhe asistoi 18 herë.

Si senior në Kosovë luajti për Vushtrrinë, Drenicën dhe Gjilanin.

Zabërgja insiston se në aspektin personal, viti 2025, është më i miri në karrierë.

“Është viti më i mirë deri tash, duke pasur parasysh formën personale që kisha gjatë gjithë vitit dhe në fund u shpërblye me transferim në ekipin e ri”, ka theksuar Zabërgja.

Si “shpërblim” për formën e mirë, Zabërgja mori ftesën e selektorit Foda për ndeshjet e shtatorit.

Kosova në shtator i luan dy ndeshje kualifikuese për Botërorin që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ndeshjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë më 5 shtator kundër Zvicrës në Basel, kurse më 8 shtator në Prishtinë e presin Suedinë.

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe shpresoj t’i kalojmë me sukses. Jam gjithmonë gati të jap maksimumin për Kosovën kurdo që do e kem rastin”, është shprehur Zabërgja.

Zabërgja tashmë ka luajtur për Kosovën.

Në qershor të këtij viti, Zabërgja debutoi për përfaqësuesen e Kosovës. Luajti si titullar në ndeshjen miqësore kundër Armenisë. Ai pret të tjera paraqitje për “Dardanët”.