Statistikat e fillimit të edicionit janë premtuese: pesë ndeshje, tri gola, një asistim.
Sulmuesi i Kosovës, Baton Zabërgja, aktualisht është në mesin e pesë golashënuesve më të mirë të kampionatit të Ukrainës.
Forma e treguar në pesë ndeshjet e para e bënë Zabërgjën optimist për vazhdimin e kampionatit.
Sulmuesi i skuadrës Metalist Kharkiv ka regjistruar edhe një gol dhe dy asistime në garë për Kupën e Ukrainës.
“Statistikat flasin vetë. Mendoj që e kam nisur mirë këtë sezon dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Synimi është që të paraqitem sa më mirë dhe të vazhdoj të shënoj gola”, ka thënë Zabërgja.
Edhe
Zabërgja asiston në fitoren e Kharkivit
Ai pjesë e Metalist Kharkivit është nga vera e vitit të kaluar kur u transferua nga Dinamo e Tiranës për 800 mijë euro. Sulmuesi kosovar edicionin e kaluar në 30 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat kontribuoi me tetë gola dhe tri asistime.
Edhe pse fillimi nuk ka qenë i lehtë, Zabërgja shprehet se tashmë është ambientuar me ligën dhe ndihet më i përgatitur për sfidat që e presin në ndeshjet e ardhshme.
“Fillimi ka qenë paksa i vështirë, normalisht, mirëpo besoj që tash jam i gatshëm dhe kam njohuri të mjaftueshme për ligën ukrainase”.
Liga ukrainase zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme. Për shkak të sulmeve ruse, shumë ndeshje ndërpriten nga sirenat e alarmit. Por futbolli vazhdon të luhet në Ukrainë, ndërkohë që numri i lojtarëve të huaj është i madh. Në këtë vend janë edhe disa reprezentues të Kosovës.
Zabërgja është pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës. Ka gjashtë ndeshje të luajtura me “Dardanët”.
Kosova këtë muaj i luan ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Për herë të parë do të luajë në Ligën B, që është niveli i dytë.
“Dardanët” janë në Grupin 3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.
“Ende nuk kam pranuar ftesë, mirëpo jam gjithmonë i gatshëm dhe shpresoj të bëjmë maksimumin nga këto ndeshje”, u shpreh Zabërgja.
Edhe
Zabërgja vazhdon formën e mirë në Ukrainë
Zabërgja ka të kaluar edhe te disa skuadra kosovare si Vushtrria, Drenica dhe Gjilani.
Metalist Kharkivi është i katërti në tabelë me nëntë pikë. Vlerësohet në garë për kreun e tabelës.