Futboll

Ylli kosovar i Bayernit humb Evropianin U17 që mbahet në Shqipëri

Yll Gashi

Futbollisti i talentuar i Bayernit, Yll Gashi, nuk do të paraqitet për Gjermaninë U17 në Evropianin që mbahet në Shqipëri.

Evropiani U17 mbahet në Shqipëri nga 19 maji deri më 1 qershor. Por Gashi nuk do të paraqitet për Gjermaninë U17. Klubi gjerman ka njoftuar se Gashi ka pësuar lëndim dhe do të jetë jashtë fushave të futbollit për disa muaj.

“Yll Gashi ishte në listën e ekipit U17 të Gjermanisë, por ai është jashtë fushës për disa muaj për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës”, shkruan në njoftimin e Bayernit.

Gjermania, e cila fitoi Evropianin për grupmoshën U17 në vitin 2023, turneun e nis më 19 maj kundër Francës. Më 22 maj luan kundër Shqipërisë dhe më 25 maj ndaj Portugalisë. Vendi i parë dhe dytë kalojnë në gjysmëfinale, që zhvillohet më 29 maj. Më 1 qershor luhet finalja e Evropianit.

Në grupin tjetër janë Anglia, Belgjika, Italia dhe Çekia.

Ndeshjet luhen në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan dhe Durrës.