Futboll

Xhemaili dërgon Zvicrën në çerekfinale të Evropianit

Xhemaili dërgon Zvicrën në çerekfinale të Evropianit

Riola Xhemaili e ka dërguar Zvicrën në çerekfinale të Kampionatit Evropian për futbolliste.

Të enjten mbrëma në Gjenevë, Zvicra e Finlanda luajtën 1:1. Barazimi i mjaftoi Zvicrës për të avancuar nga Grupi A.

Futbollistja shqiptare, Xhemaili, në lojë hyri në minutën e 82-të, ndërsa golin për 1:1 e shënoi në minutën e 93-të. Ajo realizoi me një goditje nga zona.

Finlanda ishte në epërsi prej minutës së 79-të.

Zvicra ka avancuar nga vendi i dytë me katër pikë. Finlanda po ashtu i kishte katër pikë, por goldallim më të dobët për një gol. Grupin e fitoi Norvegjia me nëntë pikë. Islanda e mbylli garën pa pikë.

Në ndeshjen tjetër të së enjtes mbrëma, Norvegjia fitoi 4:3 ndaj Islandës.

Zvicra për herë të parë është kualifikuar në çerekfinale të Evropianit.