Paraqitja e Zvicrës në ndeshjen e parë të Evropianit të futbollisteve është vlerësuar shumë pozitive, me gjithë humbjen 2:1 nga Norvegjia.
Të mërkurën mbrëma në “St. Jakob – Park” në Basel, në praninë e 34 mijë shikuesve, Zvicra humbi 2:1.
Zviceranet ishin në epërsi 1:0 pas pjesës së parë, por dy gabime në mbrojtje në pjesën e dytë, i lanë duarthatë ato. Riola Xhemaili startoi te Zvicra në sulm dhe luajti deri në minutën e 63-të. Ajo u vlerësua me notën 4, nga 6 sa është maksimalja. Paraqitja e saj ishte solide.
Te Zvicra janë shprehur të zhgënjyera për mënyrën se si lojtaret e Norvegjisë kanë luajtur pasi shënuan golin për 2:1. Norvegjezet kanë zhagitur maksimalisht lojën.
“Zhagitja e lojës nga norvegjezet ishte pak e mërzitshme”, ka thënë Riola Xhemaili për “20 Minuten”.
“Ishin shpesh të shtrira. Ne duam të luajmë lojë atraktive dhe jo të jemi të shtrira në fushë çdo dy minuta. Por në rregull, nuk ka shumë për të bërë për këtë”.
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Finlanda fitoi 1:0 ndaj Islandës.
Më 6 korrik, Norvegjia luan me Finlandën, ndërsa Zvicra me Islandën. Më 10 korrik janë ndeshjet Finlanda – Zvicra dhe Norvegjia – Islanda. Dy të parët në grup avancojnë në fazën nokaut, ndërsa Xhemaili mbetet optimiste.
“Ne kemi dëshmuar se mund t’ia dalim. 100 për qind mund të arrijmë fitore ndaj Islandës”, ka thënë 22-vjeçarja.