Taulant Xhaka nuk shquhej për gola e asistime të shumta. Ajo që e karakterizonte ish-mesfushorin ishte lufta e madhe që bënte për fanellën “kuqezi” të Shqipërisë. Dhe si luftarak në fushë do të mbahet mend.
“Kisha vdekur për këtë fanellë” ka thënë ndër të tjera Xhaka në serinë e parë të rrëfimeve të legjendave që kanë luajtur për Shqipërinë, të publikuar të shtunën në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk kam bërë sakrifica të mëdha por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë”, ka deklaruar Xhaka kur është pyetur se çfarë sakrifice personale ka bërë për Kombëtaren.
Xhaka i është referuar tensioneve në Beograd, në ndeshjen e 14 tetorit në Beograd ndaj Serbisë. Ajo ndeshje i takoi kualifikimeve për “Euro 2016”. Shqipëria e fitoi më vonë ndeshjen me rezultat zyrtar dhe e siguroi kualifikimin në Evropian.
Ajo ndeshje u ndërpre pasi huliganët serbë, lojtarët e Serbisë dhe pjesëtarët e sigurimit i sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Incidentit i parapriu paraqitja me dron e flamurit “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd. Ishte flamur me motive shqiptare, me hartën e kuqe me shqiponjë të zezë dhe figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit anash, flamur që u bë i famshëm në mesin e shqiptarëve.
Xhaka ishte prej të parëve që u afrua në mbrojtje të atij flamuri.
Ish-mesfushori defensiv u pensionua nga Shqipëria pas 30 paraqitjeve e një goli të shënuar.
Xhaka, që tani punon si trajner te Dardania BS në Zvicër, shpreson në fitore në gjysmëfinalen e plejofit të Botërorit 2026. Më 26 mars, Shqipëria luan në udhëtim ndaj Polonisë.
“Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht”, ka deklaruar Xhaka.