Futboll

Taulant Xhaka: Nuk kam dashur të qaj para babait tim

Taulant Xhaka

Fitorja 4:0 ndaj Luzernit ishte ndeshja e 407-të dhe e fundit për Baselin në karrierën e Taulant Xhakës. Ai u përshëndet të shtunën mbrëma si legjendë e klubit me nam nga Zvicra. I dha fund karrierës si kampion, ndonëse këtë edicion ka luajtur pak dhe nuk kishte shumë ndikim në fushën e blertë.
Taulanti është shfaqur emocional në ndeshjen përshëndetëse.

“Më është dashur të përmbahem pasi nuk kam dashur të qaj para babait tim. Por tashmë kisha lotë në sytë e mi. Koreografiza e tifozëve ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Taulant Xhaka në një intervistë për “Blick”.

Atij iu bë një përshëndetje e ngrohtë. Sidomos ra në sy koreografia e tifozëve. Skuadra nuk i mbeti borxh, duke shënuar fitore bindëse.

“Ëndrra ime u bë realitet. I luajta 34 minutat e mi. Dhe ndonëse nuk kam luajtur gjatë, jam ndier mirë në fushë”, ka thënë mesfushori që në fanellë ka mbajtur numrin 34.

Në ceremoni ishte edhe Granit Xhaka, vëllai i vogël i Taulantit. Graniti paralajmëroi kthimin te Baseli. Kjo megjithatë nuk pritet të ndodhë këtë verë.

“Ai do të kthehet së shpejti. Nuk do të them më shumë”, ka vazhduar Taulant Xhaka.

Ai thuajse gjithë karrierën e kaloi te Baseli. Një edicion e gjysmë ishte i huazuar te Grasshopperi dhe kohën tjetër ishte lojtar i Baselit. Ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës, ndërsa te të rriturit e përfaqësoi Shqipërinë. I luajti 31 ndeshje dhe e realizoi një gol me kuqezinjtë.

Taulant Xhaka ka dhënë intervista të shumta së fundit. Për sajtin zyrtar të klubit foli për ditët e para te Baseli. Ai iu bashkua akademisë së Baselit në moshën 12-vjeçare.

“Remo Gaugler na solli Granitin dhe mua në Basel në verën e vitit 2003. Edhe atëherë disa talente të mëdha luanin për të rinjtë, si Xherdan Shaqiri e Marco Aratore. Kështu që ishim shumë nervoz në fillim, por të gjithë shumë shpejt na integruan dhe shpejt u ndieva komod”.

Taulanti ka paralajmëruar mbetjen në futboll. Planifikon të shkollohet për trajner dhe një ditë të punojë trajner së bashku me Granitin.