Baseli ka fituar 4:0 ndaj Luzernit të shtunën në ndeshjen e fundit të Taulant Xhakës si futbollist aktiv.
Emocionet ishin të shumta ende pa nisur ballafaqimi. Para ndeshjes së 407-të dhe të fundit për Baselin, Taulant Xhaka u përshëndet me të pranishmit.
“Është vështirë për mua sepse janë minutat e fundit për Baselin. Por kam dhënë gjithçka nga vetja”, ka thënë 34-vjeçari.
Pas 34 minutave, që lidhej me numrin e fanellës që ai mbante veshur, Taulant Xhaka u largua nga fusha e “St. Jakob-Park” për herën e fundit.
Baseli ishte duke fituar 1:0 falë golit të Albian Ajetit, kontrata e të cilit është vazhduar deri në vitin 2028. Njoftimi për vazhdimin e kontratës u bë i ditur para ndeshjes. Më pas shënuan edhe Philipp Otele, Anton Kade që realizoi me asistim të Xherdan Shaqirit, dhe Benie Traore.
Për Xhakën pati koreografi të shkëlqyer nga tifozët.
Xhaka në javën e kaluar e fitoi titullin e shtatë, ndërsa i ka edhe katër Kupa të Zvicrës. Të pestin e ka shansin ta fitojë javën e ardhshme ndaj Bielit.
Xhaka i ishte bashkuar të rinjve të Baselit në vitin 2003. I pranishëm në ndeshjen përshëndetëse ishte edhe vëllai i vogël, Granit Xhaka, mesfushori i Leverkusenit. Ai dha sinjale se mund të kthehet. “Njëri Xhakë po largohet, por një tjetër do të vijë shpejtë këtu!”, ka deklaruar Granit Xhaka.