Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Beograd më 14 tetor 2014, ka mbetur në histori.
Tensionet arritën kulmin pasi një dron që po mbante një flamur me motive shqiptare u paraqit mbi stadium. Incidentet u bartën në fushën e lojës, ndërsa lojtarët e Shqipërisë u sulmuan fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit. Mënyra se si reaguan lojtarët e Shqipërisë, apo shumica prej tyre, i ka bërë të paharrueshëm në mesin e tifozëve shqiptarë.
UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Njëri prej lojtarëve të Shqipërisë në atë ndeshje historike ishte Burim Kukeli. Ish-mesfushori ka përkujtuar atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
“Kemi pasur një grup të vështirë në kualifikimet dhe askush nuk ka besuar se do të kualifikohemi, por e nisëm mirë, me fitore ndaj Portugalisë. Filloi mbarë dhe pastaj në lojën në Beograd kundër Serbisë të gjithë e kanë parë padrejtësinë që na u bë. Minimumi ishte shpërblimi me tri pikë në tavolinë”, ka nisur rrëfimin Kukeli, të martën për KOHËN.
Ai thotë se në Beograd ishin të vetmuar, pa u mbrojtur nga askush.
“Para lojës ka qenë në rregull e po ashtu edhe pas. Por gjatë lojës ka qenë një energji e keqe. E kemi ndier atë urrejtjen që kanë ndaj nesh. Ishim vetëm ne lojtarët dhe njerëzit e federatës. Nuk ishte ndjenjë e mirë të kishe gjithë stadiumin kundër. Ne jemi munduar ta tregojmë më të mirën tonë. Në fund triumfoi e drejta dhe fituam ndeshjen në tavolinë”.
Kukeli 41-vjeçar u lind në Gjakovë. Ai nuk ishte i vetmi lojtar me rrënjë nga Kosova që luante atë kohë për Shqipërinë. Edhe sot numri i lojtarëve me rrënjë nga Kosova është i madh te Shqipëria. Po ashtu edhe ndikimi në fushë.
“E kemi ditur se nuk do të pritemi mirë, por nuk e kemi pritur atë urrejtje kaq të madhe. Njerëzit janë të çuditshëm. Nuk mund të mendosh si janë ashtu. Pamjet kanë treguar gjithçka dhe loja në ato kushte nuk ka mundur të vazhdojë. Jemi ofenduar e jemi rrahur. Dhe, pasi na kanë rrahur dëshironin sërish të futemi në fushë. Ka qenë e pamundur vazhdimi i ndeshjes”, thotë Kukeli.
Edhe sikur të vazhdonte ndeshja, Kukeli ka ndjenjën edhe sot se Shqipëria kishte mundësitë e saj për të fituar në fushë.
“Situata nuk ka qenë aspak e sigurt. Në momente të caktuara ka edhe frikë. Por njeriu në shumë raste edhe i përballon, pasi nuk kishte rrugëdalje tjetër. Jemi mundur ta tregojmë më të mirën tonë, pasi kemi pasur faza të mira në fushë dhe nëse do të luhej 90 minuta, gjasat për të fituar kanë qenë të mëdha. Nuk ishte sjellja e duhur, edhe organizimi nuk ishte siç duhet”.
Kukeli ishte titullar në ndeshjen ndaj Serbisë në Beograd, ndërsa në ndeshjen kthyese në Elbasan në vitin 2015 ishte në bankën e rezervistëve. Serbia fitoi 2:0 në Elbasan, nën masa të rrepta sigurie.
Por Kukeli insiston se kanë qenë shembull për të gjithë botën. Ai uron ndeshje pa incidente edhe në Tiranë, të shtunën, kur Shqipëria të përballet me Serbinë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“Në Elbasan kemi treguar kulturë dhe respekt ndaj njerëzimit. Jemi sjellë mirë, jo si ata me ne. Kemi marrë mirënjohje nga shtetet e tjera. Kemi bërë më të mirën tonë dhe tash shpresoj se do të organizohet mirë edhe në Tiranë. Në fund të fundit është sport dhe të sillemi në atë frymë dhe në fund uroj që Shqipëria të fitoj ndeshjen”, ka thënë Kukeli.
Kukeli ishte një nga futbollistët kyç të kombëtares shqiptare. Luante si mesfushor qendror, një rol kyç në organizimin dhe mbrojtjen e skuadrës.
Ai nuk do të jetë i pranishëm të shtunën në Arenën Kombëtare. Por thekson se do të jetë tifoz i flaktë i Shqipërisë. Pret atmosferë të zjarrtë.
“Tifozët të mos sjellin urrejtje. Të përkrahin lojtarët e Shqipërisë. Duhet të japim energji pozitive, jo urrejtje”, thotë ish-mesfushori punëtor.
Ai ka nisur punën si trajner i ekipit U21 të Zurichut. Te Zurichu ishte edhe si lojtar nga viti 2012 deri në vitin 2017. Kukeli ka bërë karrierë goxha të mirë në Zvicër. Është i lumtur me karrierën që ka zhvilluar, ndërsa pret të ketë suksese edhe si trajner.
Ëndrrën për t’u paraqitur me fanellën e Shqipërisë në ngjarje të mëdha e ka përjetuar. Tani shpreson ta përjetojë edhe si trajner.
“Për momentin jam duke lëvizur hap pas hapi. Niveli U21 është shumë i mirë këtu në Zvicër. Dua të marr mësime dhe idetë e mia t’i shpalosi. Por dëshira është që një ditë të punoj edhe në Superligën e Zvicrës. Pastaj Kosova dhe Shqipëria nuk diskutohet. Është ëndërr për mua të jem trajner i Shqipërisë ose Kosovës”, ka thënë Kukeli.
Kukeli për Kombëtaren e Shqipërisë ka luajtur 27 ndeshje. Thuajse në secilën prej tyre ka qenë prej më të mirëve në fushë.