Të shtunën mbrëma në Nish në një tubim politik, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur edhe ndeshjen e futbollit Shqipëri – Serbi. Ndeshja zhvillohet muajin e ardhshëm dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Ndeshja e 7 qershorit në Tiranë pritet me interesim shumë të madh.
Derisa po fliste për të pranishmit, Vuçiqi i është drejtuar selektorit të Serbisë, Dragan Stojkoviq, që ishte pjesë e tubimit.
“Pak më parë e kam parë dhe tani po e shoh që është sërish këtu. Ju lutem një duartrokitje të madhe për selektorin e Serbisë, Dragan Stojkoviq – Piksi, legjendën e Nishit, që nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi që të jetë sonte me ne. Në qershor apo korrik luan atje ndaj Shqipërisë, t’i mposhtësh ata”, ka thënë Vuçiq, shkruan mediumi serb “Sport Klub”.
Më herët të shtunën, Vuçiqi ka pasur takim me selektorin Stojkoviq. Selektori serb ishte në Nish për t’i ofruar përkrahje Vuçiqit në tubimin e partisë së tij.
Interesimi për ndeshjen Shqipëri – Serbi është shumë i madh. Ndeshja ka peshë në garën për vendin e dytë në grupin kualifikues.