Futboll

Verë e nxehtë për futbollistët shqiptarë në Evropë

Edon Zhegrova

 

Skuadra e Lillet ende nuk i ka nisur stërvitjet për edicionin e ri 2025-26. Përgatitjet për sezonin e ri Lille do t’i nisë më 30 qershor në “Domaine de Luchin”. Në ditët e para futbollistët do t’u nënshtrohen disa testeve fizike dhe ekzaminimeve mjekësore. Vëmendja do të jetë te sulmuesi Edon Zhegrova. Zhegrova, i cili nuk ka luajtur për Lillen prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar, aktualisht po stërvitet individualisht në Kosovë. Dhe nuk dihet nëse do t’i bashkohet Lillet në përgatitje. Së fundmi për Zhegrovën ka shprehur interesim Atalanta. Më herët është raportuar se edhe Napoli është i interesuar për sulmuesin e Kosovës. Por, Zhegrova nuk është lojtari i vetëm shqiptar që mund të lëvizë gjatë verës. Interesim nga Turqia ka edhe për Vedat Muriqin. Edhe Muriqi po qëndron në Kosovë për pushime. Interesim për Muriqin kanë shprehur Beshiktashi e Fenerbahçe. E paqartë është e ardhmja edhe për Granit Xhakën, Ardon Jasharin, Armando Brojën, Mirlind Dakun, Ylber Ramadanin e Ardian Ismajlin. Lista është shumë e gjatë.

Zhegrova në javët e fundit vazhdimisht ka postuar fotografi e video nga stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por edhe nga Kampi Nacional i Federatës së Futbollit të Kosovës. 26-vjeçari e mbylli herët sezonin, por pati paraqitje që janë vlerësuar lart. Ai i luajti vetëm 21 ndeshje, në të cilat i shënoi tetë gola dhe i pati dy asistime. Zhegrova është parë në formë të lartë në stërvitje, ndonëse lëndimi në muskujt aduktorë e ka lënë atë jashtë fushës prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar, kur kishte luajtur vetëm në pjesën e parë ndaj Marseilles.

“Sipas raportimit të ‘La Voix du Nord’, Atalanta dhe Napoli i kanë sytë kah anësori i Lillet, Edon Zhegrova. Kosovari pritet të largohet nga Franca veriore këtë verë, pasi do të hyjë në vitin e fundit të kontratës dhe lojtari e ka bërë të qartë”, ka shkruar “Yahoo Sports” të premten. Çmimi i Zhegrovës vlerësohet të jetë afro 25 milionë euro.

Pushimet në Kosovë, përkatësisht në Prizren, po i kalon edhe sulmuesi tjetër i Kosovës, Vedat Muriqi.

Ditë më parë është raportuar se Beshiktashi i ka nisur përpjekjet që shtatlartin e Kosovës ta bashkojë në skuadër me Milot Rashicën e Ernest Muçin. Muriqi pjesë e Mallorcas është prej vitit 2022. 31-vjeçari e mbylli sezonin me shtatë gola e dy asistime.

Edhe Granit Xhaka e Ardon Jashari ende nuk e dinë se ku do të luajnë në sezonin e ri. Drejtori sportiv, Igli Tare, po bën tentime të shumta që dyshen që e përfaqëson Zvicrën, ta afrojë te skuadra e madhe italiane, Milan. Xhaka vlerësohet lider i mesfushës së Bayer Leverkusenit dhe Zvicrës. Me Leverkusenin, Xhaka e fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë para dy edicioneve. Ndërkohë, Jashari, që luan po ashtu në mesfushë, e fitoi Kupën e Belgjikës me Club Bruggen. Jashari u zgjodh edhe lojtari më i mirë i kampionatit elitar belg.

“Blick” i Zvicrës ka raportuar të premten se drejtori sportiv Tare, aktualisht është në Belgjikë për bisedime me zyrtarë të klubit belg dhe Jasharit, për një transferim të mundshëm.  

“Tatar-inform” e Rusisë shkroi të premten se Mirlind Daku me shumë gjasë do të mbetet te Rubin Kazani. Transferimi i sulmuesit të Shqipërisë te Zeniti i Petersburgut, nuk u realizua për arsye të shumta. Prej tyre ishte edhe aspekti politik dhe tatuazhi që e mban emrin e komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana. Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar të Premier Leagues ruse të futbollit. I shënoi 15 gola. Daku është lojtari më i mirë i Rubin Kazanit. Është nga Kosova, por luan për Shqipërinë. Kontrata me Rubin Kazanin i skadon në qershor të vitit të ardhshëm.

Armando Broja, sulmuesi tjetër i Shqipërisë, pritet të largohet nga Chelsea. Për largimin e tij ka shkruar edhe mediumi i madh BBC.

“Chelsea pritet t’i shesë disa lojtarë të ekipit senior, të cilët nuk u përfshinë në listën e 28 lojtarëve për Kupë të Botës për Klube, përfshirë Armando Brojën, Raheem Sterlingun, Ben Chilwellin, Joao Felixin, Axel Disasin, Renato Veigan, Gjorgje Petroviqin dhe Lesley Ugochukwun”, ka shkruar mediumi britanik.

Pranë largimit nga skuadrat e tyre janë edhe Ylber Ramadani i Lecces dhe Ardian Ismajli i Empolit. Për Ismajlin është raportuar se po interesohen Torino, Bologna dhe Verona.