Futboll

Veliu, më i miri i xhiros së parë

Valmir Veliu

Valmir Veliu është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së parë të edicionit 2025/26 në Superligën e Kosovës në futboll. 

Këtë e bëri të ditur të martën FFK-ja, që edhe e shpall më të mirin e secilës xhiro.

Valiu ishte prej më meritorëve në fitoren e Prishtinës ndaj Dukagjinit. Me golin e Veliut, Prishtina e mposhti skuadrën nga Klina me rezultatin 3:2. 25-vjeçari në këtë ndeshje bëri edhe një asistim. 

“Të luash për Prishtinën është ëndërr e çdo lojtari. Jam ambientuar shumë mirë dhe shumicën e lojtarëve i kam njohur më herët. Të luash në Dukagjin është gjithmonë e vështirë, por ia dolëm të shënojmë fitore. Personalisht gëzohem që e kam ndihmuar ekipin me gol dhe me asistim. Ky çmim për mua është motiv të punoj dhe të ushtroj më tutje, si dhe të vazhdoj ta ndihmoj ekipin çdo javë. Prishtina, çdo vit, synim e ka titullin kampion ose daljen në Evropë”, ka thënë Veliu për faqen zyrtare të FFK-së.