Futbollisti i Anglisë, Jude Bellingham, do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull pas Kupës së Botës për Klube ku do të paraqitet me Real Madridin. Por, përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka kritika të ashpra.
21-vjeçari ka pasur probleme me shpatullën prej muajsh. Megjithatë, për shkak të shumë ndeshjeve dhe për shkak të Kupës së Botës për Klube, Bellingham e ka shtyrë vazhdimisht operacionin, në konsultim me klubin e tij. Tani pritet që të operohet pas Kupës së Botës për Klube.
“Bellingham ka luajtur me këtë problem për shumë muaj, ndoshta edhe shumë gjatë”, tha Tuchel për “The Times”.
“Ai po luan me fashë nën bluzë. Nga një këndvështrim i thjeshtë mjekësor, operacioni duhej të kishte ndodhur dje. Por për shkak të rëndësisë që ka Bellingham, i është shtyrë operimi”.
Deri tash Reali nuk e ka konfirmuar operacionin. Megjithatë, sipas raportimeve, ai do t’i nënshtrohet operimit pas ngjarjes globale.