Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se futbollistët e Përfaqësueses së Iranit janë të “mirëpritur” në Kupën e Botës 2026, por ka shtuar se kjo “nuk është e përshtatshme” për ta, “për jetën dhe sigurinë e tyre”.
Komentet e Trumpit janë bërë menjëherë pasi ministri i Sportit dhe Rinisë i Iranit, Ahmad Donyamali, ka thënë se shteti i tij nuk është në pozitë për të marrë pjesë në turneun që organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIrani duhet të ballafaqohet me Zelandën e Re dhe Belgjikën në Los Angeles më 15 dhe 21 qershor, si dhe me Egjiptin më 26 qershor.
Por, paraqitja e tyre ka qenë në dyshim që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmin në këtë shtet, duke e vrarë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Irani u kundërpërgjigj me sulme ajrore tek Izraeli dhe katër shtete të tjera arabe që kanë baza ushtarake të SHBA-së, në Bahrejn, Kuvajt, Katar dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Përfaqësuesja e Iranit është e mirëpritur në Kupën e Botës, por nuk mendoj me të vërtetë se është e përshtatshme që ata të jenë këtu, për jetën dhe sigurinë e tyre”, ka shkruar Trump në rrjetin social “Truth Social”.
Më herët gjatë kësaj jave, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se Trumpi i kishte thënë atij se Irani është “i mirëpritur për të garuar” në turneun e kësaj vere.
“Duke pasur parasysh se kjo qeveri e korruptuar e ka vrarë liderin tonë, në asnjë rrethanë nuk i kemi kushtet e duhura për të marrë pjesë në Kupën e Botës. Djemtë tanë nuk janë të sigurt dhe kushtet për pjesëmarrje nuk ekzistojnë”, ka deklaruar Donyamali të martën në një intervistë për televizionin shtetëror “IRIB Sports Network”.
Nëse Irani tërhiqet nga kjo Kupë e Botës, që do të ishte e katërta rresht, rregullat e FIFA-s thonë se ekziston mundësia e zëvendësimit, por ende nuk është e qartë se kush mund ta zërë atë vend.