Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës në futboll dhe ndeshjet e tij do të luhen në SHBA, ashtu siç është planifikuar. Kështu ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të martën.
Ka pasur paqartësi lidhur me pjesëmarrjen e Iranit në Botëror, për shkak të luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFederata e Futbollit e Iranit kishte thënë më herët këtë muaj se po negocionte me FIFA për të bartur ndeshjet e Kupës së Botës nga SHBA-ja në Meksikë.
“Irani do të jetë në Kupën e Botës”, ka thënë Infantino për AFP.
“Jemi të lumtur pasi Irani është ekip shumë, shumë i fortë. Jam shumë i lumtur. Ndeshjet do të luhen aty ku është planifikuar, sipas shortit”, ka shtuar presidenti i FIFA-s.
Irani do të luajë me Zelandën e Re dhe Belgjikën në Los Angeles më 15 dhe 21 qershor. Ndërkohë me Egjiptin do të përballet më 26 qershor në Seattle.
Botërori fillon më 11 qershor, ndërsa mbahet edhe në Kanada e Meksikë.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum ka thënë se vendi i saj është i përgatitur për të organizuar ndeshjet e Iranit, nëse kjo është e nevojshme.
Por Infantino, që përcolli nga afër fitoren 5:0 të Iranit ndaj Kosta- Rikës në Turqi të martën, ka insistuar se iranianët do të marrin pjesë në Botëror sipas planit.
“Kam parë ekipin, kam folur me lojtarët dhe trajnerin, kështu që çdo gjë është në rregull”, ka insistuar Infantino.
Në ditën kur vendosen shumë pjesëmarrës të Botërorit, Infantino ishte në Turqi për ndeshjen miqësore të Iranit.
Dhe kjo është shenja më e qartë deri më tani që Irani nuk planifikon ta bojkotojë Kupën e Botës.
FIFA ka qëndruar goxha e qetë pasi nisi lufta. Por Infantino është kujdesur për të shuar të gjithë zërat e bojkotit, duke thënë: “Irani do të jetë në Botëror, për këtë jemi ne këtu”.
Deklarata e presidentit të FIFA-s lë të kuptohet se ka besim që lufta do të përfundojë para 15 qershorit, kur Irani do të përballet me Zelandën e Re në Los Angeles.
Më herët këtë muaj, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Irani do të mirëpritet në Kupën e Botës, por ka shtuar se iranianët megjithatë nuk duhet të jenë në SHBA për “jetën dhe sigurinë e tyre”.
Si përgjigje, iranianët theksuan që SHBA-ja duhet ta konfirmojë vendin e saj në Botëror. Nga Qeveria e Iranit kishin theksuar se nuk janë në gjendje të marrin pjesë në Botëror.