Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZyrtarët italianë të sportit kanë thënë se katër herë kampionia e botës në futboll, Italia, nuk është e interesuar ta zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës. Reagimi erdhi pas një sugjerimi për një skenar të tillë, nga një zyrtar i administratës Trump.
Irani nuk është tërhequr nga Kupa e Botës në futboll dhe ekipi i tij po përgatitet të luajë në SHBA, pavarësisht luftës në Lindjen e Mesme. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka këmbëngulur që ndeshjet e Iranit në fazën e grupit, të planifikuara për në Los Angeles dhe Seattle, do të zhvillohen sipas planit.
“Financial Times” raportoi se Paolo Sampolli, i dërguari special i SHBA-së për partneritete globale, i kishte sugjeruar shkëmbimin Iran – Itali presidentit Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Për AP, Zampolli tha se “kërkesa ime nuk është kërkesë politike”. Kërkesa që iu bë Trumpit dhe Infantinos të mërkurën ishte menduar si një plan emergjence në rast se Irani nuk do të mund të merrte pjesë në turneun e futbollit, në minutën e fundit.
“Kisha një ëndërr. Kërkesa ime ishte për popullin italian dhe popullin amerikano-italian”, ka thënë Zampolli për AP.
Sipas tij, paraqitja e Italisë në Botëror, ku i ka katër tituj, do të ishte e justifikuar.
Por italianët e marrin si ofendim propozimin. Italia ka dështuar të kualifikohet në Botëror, duke u mposhtur nga Bosnjë-Hercegovina në finale të plejofit. Italia për herë të tretë rresht ka mbetur jashtë Botërorit.
Zyrtarët italianë e kanë kundërshtuar ashpër sugjerimin. Ministri i Sportit, Andrea Abodi tha se “para së gjithash kjo nuk është e mundur. Së dyti, nuk është ide e mirë”.
Luciano Buonfiglio, president i Komitetit Olimpik të Italisë, gjithashtu e hodhi poshtë idenë.
“Do të ndihesha i ofenduar”, ka thënë Buonfiglio. “Duhet ta meritoni që të shkoni në Kupën e Botës”.
Ministri i Financave i Italisë, Giancarlo Giorgetti, e quajti shkëmbimin e sugjeruar si “të turpshëm”.
Trump ndërkohë është pyetur në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me mundësinë që lojtarët iranianë të mos lejohen të hyjnë në SHBA për Kupën e Botës. Presidenti i SHBA-së fillimisht bëri shaka.
“Nuk mendoj shumë për këtë”, tha Trump, para se të shtonte: “Është pyetje interesante. Më lejoni të mendoj pak këtë”.
Më pas ai iu drejtua sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha: “Askush nga SHBA-ja nuk u ka thënë atyre se nuk mund të vijnë”.
“Problemi me Iranin nuk do të jetë me sportistët e tij. Do të ishin disa nga njerëzit e tjerë që ata duan të sjellin me vete”, tha Rubio, duke sugjeruar që ekipi i futbollit i Iranit mund të sjellë njerëz besnikë ndaj grupeve militante, të maskuar si gazetarë dhe trajnerë.
“Mund të mos jemi në gjendje t’i lejojmë të hyjnë ata. Por jo sportistët”, ka shtuar Rubio.
Ai shtoi se ka pasur spekulime se Irani mund të vendosë të mos vijë dhe Italia të zërë vendin e tij. Por nuk dha më shumë detaje.