Plot gjashtë gola i kishte shënuar Turqia në pasditen e 21 majit të vitit 2014 në stadiumin “Adem Jashari”, buzë lumit Ibër në Mitrovicë.
Turqia, që drejtohej nga legjendari Fatih Terim, e kishte fituar 6:1 miqësoren me Kosovën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër Kosovën ishte vetëm miqësorja e dytë pasi FIFA kishte dhënë leje për të tilla, më herët atë vit. Më 5 mars në “Adem Jashari” luajti Haiti, përfaqësuese inferiore. Por ardhja e Turqisë, me plot yje në përbërje, ishte diçka krejt tjetër. Shumë më madhështore.
Turqit fituan në fushë, por fitorja e madhe ishte për Kosovën. Po luante për herë të parë me një përfaqësuese cilësore evropiane. FFK-ja po sfidohej për organizim e shumë e shumë gjëra të tjera. Entuziazmi ishte në kulm, sidomos para ndeshjes. Plot 18 mijë shikues ishin në stadiumin e madh në Mitrovicë. Nuk kishte vend as për “gjilpërë”. Humbja e thellë bëri që stadiumi të zbrazej më herët, por në aspektin e historisë ndeshja ka rëndësi të pakrahasueshme.
Albert Bunjaku e kishte shënuar golin për Kosovën në minutën e 35-të. Turqia kishte shënuar që në minutën e dytë, e më pas në minutën e 34-t e kështu me radhë.
Të gjithë në stadium e dinin që Turqia po i bënte nder Kosovës që kishte pranuar të luante miqësoren. Për më tepër ajo nuk ishte në termin të lirë të FIFA-s. Dhe atëbotë ndeshjet me Kosovës nuk siguronin pikë për ranglistë të FIFA-s.
Edhe stadiumi në Mitrovicë nuk ishte në gjendjen më të mirë për ta organizuar denjësisht një miqësore me përfaqësuese të nivelit të Turqisë.
Por turqit erdhën, ndjenë përkrahjen e madhe që kishin në Kosovë, mbushën portën e Kosovës me gola dhe shkruan kapitull të rëndësishëm të krijimit dhe rritjes së përfaqësueses dardane.
“Kosova është vend i mirë dhe duhet ta kemi parasysh se për të ishte vetëm ndeshja e dytë. Uroj që ta fitojë ndeshjen e ardhshme. Tifozët ishin shumë të mirë. Uroj të vijnë kështu tifozët në çdo ndeshje”, kishte theksuar pas ndeshjes Hakan Çalhanoglu, tani kapiten i Turqisë. Ai ishte aktivizuar vetëm në pjesën e dytë.
“Imperatori” Terim kishte lënë edhe yje të tjera në stol.
Për Kosovën kishin startuar Kushtrim Mushica, Debatik Curri, Lum Rexhepi, Kristian Nushi, Fanol Perdedaj, Enis Alushi, Mehmet Hetemaj, Faton Toski, Anel Rashkaj, Albert Bunjaku, Dardan Rexhepi. Kishin luajtur edhe Alban Bunjaku, Shkodran Metaj, Bajram Jashanica, Yll Hoxha, Albion Avdijaj e Mentor Zhdrella.

E para zyrtare
Ishte 12 nëntori i vitit 2016 kur Turqia e Kosova luajtën ndeshjen e parë zyrtare. Plot 26 mijë e 555 shikues ishin në stadiumin në Antalya për fitoren 2:0 të Turqisë ndaj Kosovës. Ndeshja i takoi kualifikimeve të para të Kosovës, atyre për Botërorin 2018.
Turqia ishte favorite e madhe dhe nuk lejoi befasi.
Burak Yilmaz e shënoi golin e parë, kurse Volkan Shen të dytin.
Samir Ujkani, Fanol Perdedaj, Amir Rrahmani, Alban Pnishi, Benjamin Kololli, Enis Alushi, Herolind Shala, Arbër Zeneli, Milot Rashica, Valon Berisha e Vedat Muriqi startuan te Kosova.
Ujkani tani ka rol drejtues në përfaqësuese. Muriqi është lider i sulmit, Rrahmani është kapiten, por aktualisht i lënduar. Rashica e Berisha janë rezervistë.
Kishte shenja miqësie edhe në ndeshjen në qytetin bregdetar turk.
Vendase, në Shkodër
Në ciklin e njëjtë kualifikues, Kosova e Turqia u përballën në “Loro Boriçi” të Shkodrës, më 11 qershor 2017. Pas disa humbjeve rresht, entuziazmi te Kosova kishte rënë. Rrjedhimisht ishin vetëm 3758 shikues në Shkodër. Turqia nuk lejoi befasi dhe fitoi 4:1.
Amir Rrahmani e shënoi golin për Kosovën, për rezultatin 1:1. Ai realizoi në minutën e 22-të.
Ujkani, Mërgim Vojvoda, Rrahmani, Pnishi, Fidan Aliti, Alushi, Hekuran Kryeziu, Zeneli, Valon Berisha, Atdhe Nuhiu dhe Donis Avdijaj startuan. Muriqi kishte mbetur në stol, bashkë me Rashicën.
Vojvoda është startues te Kosova, Aliti është rezervist, kurse Atdhe Nuhiu është në shtabin teknik. Kryeziu është selektor i Kosovës U21.
Kosova e Turqia luajnë tjetër ndeshje të martën mbrëma.
Ndeshja në “Fadil Vokrri” fillon në ora 20:45 dhe është më e rëndësishmja deri më tani. Kush fiton shkon në Botëror.
Përvoja e kaluar nuk duket se vlen shumë për Kosovën.
Natyrisht, ndeshjet me Turqinë ishin gurë në themelin e përfaqësueses. Por Kosova tashmë ka lëshuar shtat. Dhe e kërkon vendin në ngjarjen më të madhe të sportit – Kampionatin Botëror të futbollit.