Me ndeshjen Galatasaray – Çorum, që luhet sonte nga ora 20:30, fillon edicioni 2026/2027 në Superligën e Turqisë në futboll.
Kampionati turk ka rëndësi të madhe edhe për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, si asnjëherë deri më tani. Kjo për faktin se lojtarë të rëndësishëm të Kosovës janë pjesë e klubeve turke. Në Turqi luajnë edhe lojtarë të rëndësishëm të Shqipërisë.
Transferimi i Mohamed Salahut te Trabzonspori, i Romelu Lukakut te Fenerbahçe dhe disa transferime të tjera, kanë bërë që kampionati turk të ketë vëmendje të madhe ndërkombëtare. Sidomos kalimi i Salahut te Trabzonspori, pasi bëri histori me Liverpoolin, është përcjellë me bujë.
Prej transefimeve më të rëndësishme është ai i Vedat Muriqit nga Mallorca te Fenerbahçe. Muriqi shkëlqeu në edicionin e kaluar në La Liga dhe prej tij priten gola të shumta në Superligën turke. Faza përgatitore nuk ishte më e mira për yllin dardan. Ai pësoi një lëndim që në ditët e para të fazës përgatitore dhe mungoi për shumë javë. Është kthyer ndërkohë dhe pritet të jetë gati.
Fenerbahçe ka plot yje në përbërje dhe synon ta kthejë titullin e kampionit. Së fundi kampion i Turqisë, Feneri ishte në vitin 2014.
Edhe
Kur u pajis me pasaportë turke Vedat Muriqi?
Në kuadër të xhiros së parë, Fenerbahçe luan në udhëtim ndaj Gençlerbirligit, të shtunën nga ora 20:30.
Galatasaray ka katër tituj rresht, ndërsa nuk ka bërë lëvizje të shumta në afatin kalimtar. Megjithatë, ka ruajtur përbërjen e edicionit të kaluar, duke përfshirë yllin Victor Osimhen.
Galata sërish pritet të jetë pretendente për titull të kampionit.
Skuadra tjetër e famshme nga Stambolli, Beshiktashi, po ashtu ka bërë përforcime të bujshme. Te Beshiktashi luan Milot Rashica, por e ardhmja e tij nuk është plotësisht e qartë. Gjatë gjithë verës ka pasur raportime për një largim të mundshëm të sulmuesit të krahut. Në Turqi afati kalimtar përfundon më 4 shtator.
Beshiktashi e pret Eyupsporin, të dielën nga ora 20:30.
Amedspor nga Diyarbakiri do të garojë për herë të parë në Superligë. Dhe prania shqiptare në këtë klub është e madhe si në asnjë tjetër. Besnik Hasi është trajner i Amedsporit, kurse te kjo skuadër janë transferuar edhe dy reprezentuesit e Kosovës, mbrojtësi Lumbardh Dellova dhe sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi.
Amedspori të dielën nga ora 20:30 luan ndaj Erzurumsporit. Interesimi në Diyarbakir për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm. 28 mijë bileta janë shitur për pak minuta, kanë njoftuar mediumet turke. Tifozë të shumtë që mbetën pa bileta janë revoltuar.
Tek Alanyaspori tashmë lojtarë me përvojë janë Fidan Aliti e Florent Hadërgjonaj, dy reprezentues të tjerë të Kosovës.
Edhe
A do të luajë Vedat Muriqi si lojtar vendor në Turqi?
Ernest Muçi është bashkëlojtar i Salahut te Trabzonspir, kurse Ylber Ramadani ka zgjedhur skuadrën Çorum. Edhe kjo skuadër garon për herë të parë në elitën turke. Ramadani e Muçi janë lojtarë të rëndësishëm të Shqipërisë, njëjtë si Qazim Laçi i Rizesporit. Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, është te Konyaspori. Janë edhe disa shqiptarë të tjerë në klubet elitare turke.
Turqia vazhdon të shquhet për numrin e madh të tifozëve dhe animin e zjarrtë të tyre. Ende yjet më të mëdha ndërkombëtarë vendosin për Turqinë vetëm në fund të karrierës. Por lojtarë cilësorë nga e gjitha bota, duke përfshirë Kosovën, zgjedhin Turqinë për shkak të parave të shumta, tifozëve pasionantë dhe garës interesante.