Mircea Lucescu, emri i madh i futbollit rumun, që ishte fitues serik si lojtar dhe trajner, ka vdekur të martën në moshën 80-vjeçare.
Lucescu vdiq në spital, ku ishte shtrirë pas sulmit në zemër të pësuar javën e kaluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mircea Lucescu ishte një prej trajnerëve dhe lojtarëve më të suksesshëm rumunë. Ishte i pari që e kualifikoi Rumaninë në Kampionat Evropian në vitin 1984”, shkruan në komunikatën e Spitalit Universitar të Bukureshtit, që edhe njoftoi për vdekjen e legjendës.
“Gjenerata të tëra janë rritur me imazhin e tij në zemër, si simbol nacional”.
Lucecsu kishte karrierë impresive si trajner dhe ishte në periudhën e dytë në krye të Rumanisë. Selektor ishte deri të enjten, kur për shkak të sëmurjes u ndërpre bashkëpunimi. Së fundi e drejtoi Rumaninë në plejof për kualifikim në Botëror.
Si lojtar, Lucescu ishte kapiten i Rumanisë në Kupën e Botës 1970.
Si lojtar i kishte mbi 400 ndeshje dhe luajti kryesisht për Dinamo Bukureshtin.
Karrierën si trajner e nisi që në vitin 1979 dhe menjëherë në vitin 1981 mori drejtimin e Rumanisë. Më pas punoi te Dinamo Bukureshti, kurse në vitin 1990 kaloi në futbollin italian. Drejtoi Pisan, Brescian, Reaggianin. U kthye te Rapidi në Rumani, ndërsa në vitet 1998/99 e drejtoi Interin. Më pas punoi me sukses në Turqi te Galatasaray e Beshiktashi. Ishte ikonë te Shakhtar Donetsku në Ukrainë, ku punoi nga viti 2004 e deri në vitin 2016. Më pas ishte në Rusi te Zeniti, para se ta drejtonte Turqinë nga viti 2017 e deri në vitin 2019. Prej vitit 2020 e deri në vitin 2023 udhëhoqi Dynamo Kievin, kurse nga viti 2024 ishte në krye të Rumanisë.
Si trajner ka fituar trofe të shumtë me Shakhtarin, Galatasarayn, Beshiktashin, Zenitin, Dynamo Kievin. Me Shakhtarin e kishte fituar edhe Kupën UEFA në vitin 2009.
“I lindur në Bukuresht, Lucescu ishte një prej trajnerëve më të respektuar dhe me autoritetin më të madh në futbollin ndërkombëtar. Ai ka lënë gjurmë në çdo vend ku ka punuar falë vizionit të tij, karizmit dhe njohurive të jashtëzakonshme për lojën”, ka shkruar klubi i madh italian, Inter.
“Nuk do të harrojmë asnjëherë Mircea Lucescu”, ka shkruar Galatasaray.
Klubi turk ka shkruar se Lucescu ishte figurë e famshme në futbollin botëror.
“Lucescu, falë karakterit të tij, ka vend të veçantë në zemrat e tifozëve tanë”, ka shkruar Beshiktash.
Me admirim për Lucescun kanë shkruar edhe klube të tjera të shumta e po ashtu personalitete të ndryshme të futbollit ndërkombëtar.