Futboll

Transferimi nga Kosova në Serbi, ende i pamundur

Marko Roganoviq

Mbrojtësit malazez, Marko Roganoviq, i ka dështuar në momentin e fundit transferimi te klubi i Kategorisë së Dytë të Serbisë, edhe pse kishte stërvitur me ekipin nga Leskovci. Ai mbeti pa transferim për faktin se serbët i shkaktuan telashe pasi së fundi luajti në Kosovë.

“Madje nënshkrova një kontratë me Duboçicën, por kur u desh të më regjistronin nuk e kisha certifikatën e nevojshme”, thotë 29-vjeçari Roganoviq për mediumin malazez “Vijesti”. 

“Më thanë se isha lojtari i parë që duhej të transferohesha nga një klub i Kosovës në një klub në Serbi. Që transferimi të realizohet, Federata Serbe e Futbollit duhet të kërkojë një certifikatë nga Federata e Futbollit e Kosovës, një formalitet që bëhet gjatë çdo transferimi. Por kur u desh ta kërkonin, e gjetën veten në vështirësi, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën, e asnjë institucion të saj, madje as ato të futbollit”, tregoi futbollisti i cili ka luajtur edhe për klube të Malit të Zi, për Laçin në Shqipëri dhe Uta Aradin rumun.

“Federata Serbe e Futbollit nuk dinte çfarë të bënte. Opsioni ishte që unë të regjistrohesha për një klub tjetër, në një federatë tjetër, dhe pastaj të më kthenin. Por duket se kjo nuk mund të përfundojë në një afat kalimtar, as nuk donim që unë të rrezikoja një pezullim nga FIFA”.

Ai ka humbur shpresat për realizimin e kësaj lëvizjeje.

“Kjo është tashmë një procedurë dhe gjithsesi ka kaluar shumë kohë, është tashmë tetori. Ndoshta do të pres deri në dhjetor, ndoshta do të shfaqet një klub i ri dhe ndoshta atëherë do të jem në gjendje të regjistrohem për Duboçicën. Më pëlqeu shumë Leskovci, një stadium i ri, një klub ambicioz që dëshiron të avancojë në Ligën e Parë, madje u zhvendosa atje me familjen time, por na u desh të ktheheshim dhe të prisnim edhe pak”, ka thënë Roganoviq.

Ish-mbrojtësi i U21 të Malit të Zi luajti një vit e gjysmë për Gjilanin. U largua pas përfundimit të edicionit 2024/2025.