“Tifozat Kuq e Zi” kanë reaguar edhe njëherë për ndeshjen ndaj Serbisë. “Tifozat Kuq e Zi” e kanë cilësuar ndeshjen Shqipëri – Serbi si “miqësoja më e shikuar në histori”. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë e zhvilluar të shtunën përfundoi baras 0:0. I takoi kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në reagimin e gjatë kanë akuzuar sërish Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
“I gjithë ky spektakël u bë që të shesin në Nyon idenë se ‘jemi miq’ me armikun më të madh historik të kombit shqiptar. Hasmi mik nuk bëhet kurrë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e gjatë të “Tifozat Kuq e Zi”.
“Për ju kjo është punë, për ne është pasion. Ju paguheni në fund të muajit, ne jetojmë për ndeshjen e radhës. Dhe do të jemi aty edhe të martën në Riga. Jo me biletat që na i ndaluat, as me ‘30 biletat’ që ua keni ndarë stafit tuaj për t’u mburrur se ‘kaq tifozë kishim’, por me zemrën e pasionin që nuk e blini dot. Siç kemi qenë 21 vjet, nga Reykjaviku në Tbilisi, do të jemi prapë në çdo cep të botës ku luan Shqipëria.
Ju në ato zyra jeni të përkohshëm. Shqipëria është e përjetshme”.
Shqipëria të martën në Riga e luan ndeshjen ndaj Letonisë ndeshjen e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndeshja nis në orën 20:45 dhe i takon grupit K. Shqipëria nga tri ndeshje ka katër pikë, kurse Letonia nga dy ndeshje ka fituar tri pikë.