Tifozat Kuq e Zi nuk do të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë për ndeshjen Shqipëri – Serbi. Ndeshjen ndaj Serbisë Shqipëria e luan të shtunën, nga ora 20:45. Dueli Shqipëri – Serbi i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në reagimin e tifo-grupit Tifozat Kuq e Zi thuhet se nga tribunat i ka përjashtuar Federata Shqiptare e Futbollit.
“Për herë të parë që nga themelimi, tash e 21 vjet nuk do të jemi në stadium për të përkrahur kombëtaren tonë”, thuhet në reagimin e gjatë të tifo-grupit Tifozat Kuq e Zi.
TKZ-ja e ka quajtur mashtruese Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një ‘shorti’ të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm. Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithëpërfshirës, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vjet. Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një eveniment ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro”, shkruan në reagim.
FSHF-ja më herët kishte njoftuar se ndarja e biletave për ndeshjen ndaj Serbisë do të përcaktohet me short. Fituesit e biletave ende nuk janë përzgjedhur. Të paktën nuk ka njoftuar FSHF-ja.
“Kjo është politika përjashtuese e Federatës Shqiptare të Futbollit: nëse nuk je i pasur, nuk ke vend në stadium. Por jo të gjithë jemi milionerë si presidenti i FSHF-së dhe rrethi i tij. Gjithëpërfshirja i ka të gjithë brenda përveçse TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm besnikët e përjetshëm jo. Diçka e tillë nuk është parë kurrë. Le të fitojë njëherë Kombëtarja”, shkruan TKZ.
Interesimi për ta përcjellë nga afër ndeshjen Shqipëri – Serbi është shumë i madh. Mbi 200 mijë aplikime janë bërë për ndeshjen, e cila luhet të shtunën kundër serbëve.