Gara për titull të kampionit të Kosovës në futboll vazhdon menjëherë të martën, kur zhvillohen ndeshjet e para të xhiros së 25-të.
Prishtina, që e synon titullin, luan në udhëtim ndaj Ferizajt. Edhe për Ferizajn pikët janë shumë të rëndësishme, por në garën për mbetje në elitë.
Prishtina është e treta në tabelë me 38 pikë, katër më pak se Ballkani dhe Drita që mbajnë dy pozitat e para.
Ndërkohë Ferizaj është i teti me 26 pikë. Kjo pozitë në fund dërgon në plejaut.
Të martën prej orës 13:00 është edhe ndeshja në mes të Drenicës dhe Malishevës. Ndeshja në Skenderaj është e rëndësishme sidomos për kuqezinjtë. Drenica është e parafundit me 25 pikë, dy më shumë se Prishtina e Re. Ndërkohë Malisheva është e katërta me 37 pikë. Skuadra malishevase është ende në garë për kreun.
Të mërkurën prej orës 13:00 janë tri ndeshjet e tjera: Llapi – Gjilani, Drita – Dukagjini, Prishtina e Re – Ballkani.