Futboll

Të enjten ndeshjet e xhiros së gjashtë, derbi në Suharekë

FC Ballkani

Të enjten luhen ndeshjet e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll.

Ballkani – Drita vlerësohet derbi i xhiros, ndërsa zhvillohet nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Drita është kampione në fuqi, e Ballkani nënkampion. Ballkani është ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion. E mban vendin e tretë në tabelë me nëntë pikë.

Ndërkohë Drita e ka nisur kampionatin shumë më zbehtë. Është vetëm e teta me pesë pikë.

Rivalitet pritet të ketë edhe në ndeshjet tjera.

Me shumë vëmendje pritet takimi mes Dukagjinit dhe Llapit. Dukagjini ka nisur furishëm dhe i ka 10 pikë në vendin e dytë, sa edhe Prishtina në të parin. Llapi, me gjithë synimet e mëdha, është ende pa fitore. Ka tri barazime e dy humbje dhe me tri pikë renditet i fundit.

Gjilani – Drenica dhe Malisheva – Ferizaj janë dy ndeshjet tjera të orës 15:00.

Xhiroja mbyllet me derbin e kryeqytetit, Prishtina – Prishtina e Re. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:15.

Prishtina e Re, që për herë të parë garon në Superligë, është e gjashta me gjashtë pikë. Të hënën e ndërroi trajnerin.