Igli Tare më 26 maj u emërua drejtor sportiv i Milanit. Pas ardhjes së Tares, Milani ka bërë ndryshime të shumta në skuadër.
Tare ka folur për synimet që ka me Milanin.
Ai thotë se synimi kryesor është që Milani ta fitojë titullin e kampionit në Itali.
52-vjeçari Tare ka folur edhe për kohën e artë që e ka kaluar te Lazio.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se objektivi nuk është që të fitojmë titullin e kampionit. Është një projekt, pasi ne nënshkruam me 19 lojtarë dhe larguam 23. Jemi në rrugën e duhur, kam dëshirën për të fituar disa trofe të rëndësishëm me këtë klub të lavdishëm”, ka thënë Tare.
Tare ishte drejtor sportiv te Lazio nga viti 2008 deri në vitin 2023. Ai në të kaluarën ka qenë edhe futbollist i Lazios për tre vjet.
“Shkova në zyrën e Lazios për të nënshkruar një kontratë si lojtar dhe dola me një kontratë si drejtor sportiv. Mendoj se presidenti Claudio Lotito ishte vizionar. Ai kuptoi shumë gjëra për mua gjatë tri vjetëve atje si lojtar. Edhe si lojtar gjithmonë isha kurioz për mënyrën se si funksiononin klubet dhe doja të hyja në detaje. Fjalimi më i vështirë i jetës sime ishte të prezantohesha para shokëve të ekipit si drejtori i ri i sportit”, u shpreh ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë.