Futboll

Suksesi në Kupë motivon Prishtinën për paraqitje të mirë në Evropë

FC Prishtina

Albin Krasniqi ka shënuar shumë gola në karrierë. Por më të rëndësishmin e vlerëson atë ndaj Llapit në finalen e Kupës së Kosovës në futboll.

“Është goli më i rëndësishëm që e kam shënuar deri tani”, tha mesfushori i Prishtinës për KOHËN, të premten.

Krasniqi realizoi pas një ore lojë në “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma, në finalen e Kupës. Rezultati nuk ndryshoi më dhe Prishtina fitoi 1:0 ndaj Llapit në ndeshjen më të rëndësishme të edicionit për të dyja skuadrat.

Prishtina e fitoi trofeun e nëntë të Kupës dhe të dytin brenda tri edicioneve. Dhe pas shumë vjetësh do të kthehet në kualifikimet e kupave evropiane, përkatësisht të Ligës së Evropës.

“Kupa e Kosovës ka qenë synimi jonë, pasi që dihet se është rrugë më e lehtë për të arritur në kupat evropiane. Por kemi pasur synim edhe që të përfundojmë në tri vendet e para në tabelë. Kishim krizë të rezultateve në kampionat dhe gjatë rrugës u fokusuam më shumë te Kupa”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi këtë edicion me “bardhekaltrit” ka realizuar pesë gola dhe ka bërë po aq asistime. Është vlerësuar shumë i rëndësishëm për skuadrën, kryesisht për shkak të aftësive në fazën sulmuese.

Një gol e shënoi edhe në gjysmëfinalen e dytë të Kupës ndaj Dritës.

23-vjeçari thotë se Prishtina hasi në shumë vështirësi në kampionat. Por ato kanë mbetur prapa dhe tani fokusi është te kualifikimet evropiane.

Në garat evropiane, Prishtina ka marrë pjesë prej edicionit 2017\18. Për herë të fundit pjesëmarrëse ishte në edicionin 2021\22. Në edicionin 2022\23 e fitoi Kupën, por nuk u licencua për garat evropiane.

Në finale të Kupës ishte edhe në edicionin e kaluar. kur u mposht nga Ballkani pas ekzekutimit të penalltive, 4:2. 

“Kemi pasur një kampionat shumë të vështirë pasi që janë larguar shumë lojtarë, e shumë të tjerë na janë bashkuar. Normalisht, merr kohë që të komponohet ekipi. Ne jemi ekipi më i ri në ligë dhe besoj shumë që me këtë skuadër Prishtina në sezonet në vazhdim do të jetë shumë e fortë”, ka theksuar Krasniqi.

Rrugëtimin deri në finale, Prishtina e nisi me fitore 5:1 ndaj Top Footballit. Vazhdoi me fitore 4:0 ndaj Suharekës, e me të njëjtin rezultat e eliminoi Vëllaznimin në çerekfinale. Në gjysmëfinale pas dy ndeshjeve me Dritën fitoi me rezultat të përgjithshëm 4:0.

Në kampionat, Prishtina nuk pati formë të mirë. Mbijetesën e siguroi vetëm në xhiron e parafundit. Zë vendin e shtatë me 47 pikë.

Në kampionat, për shkak të disa mospajtimeve me drejtues të klubit, Krasniqi nuk luajti në disa ndeshje. Por problemet i takojnë së kaluarës, thotë ai. Situatë të ngjashme kishte edhe Drilon Islami, mesfushori tjetër i ekipit. Islami ka detyra defensive. 

“Sezoni ka qenë mjaft i vështirë pasi në kampionat nuk kemi bërë mjaftueshëm për të dalë në Evropë. Por, me triumfin në Kupë objektivat e klubit janë arritur. Ka qenë vështirë pasi që finalet janë të paparashikueshme, por e kemi dhënë maksimumin dhe kemi arritur ta fitojmë Kupën e Kosovës”, deklaroi Islami.

Ai e ka vlerësuar Llapin dhe ka thënë se pati paraqitje të mirë.

Islami tregon se ndikim në suksesin e Prishtinës pati edhe trajneri Arsim Thaqi.

Thaqi me Prishtinën e fitoi Kupën për herën e dytë. Ai mori drejtimin e Prishtinës më 6 prill, pak ditë pasi u shkarkua nga Drenica.

“Ardhja e trajnerit Thaqi na ka mobilizuar si ekip dhe jemi bashkuar shumë. Kjo ka ndikuar për të mirën e grupit”, deklaroi Islami.

Nga skuadrat e Kosovës, vetëm Ballkani me trajnerin Ilir Daja ka arritur që të avancojë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Dy herë rresht madje.

Ai sukses vlerësohet i vështirë për t’u arritur, por Islami ka shpresë.

“Tani në Evropë do të mundohemi të japim maksimumin. Nuk është e lehtë, por futbollit nuk i dihet. Synojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në Evropë”, deklaroi Islami.

Te Prishtina kanë thënë se në edicionin e ardhshëm do të synojnë edhe më shumë suksese. Titullin e kampionit skuadra prishtinase nuk e ka fituar që prej edicionit 2020/21.