Futboll

Spalletti paralajmëron ndryshime në formacion

Luciano Spalletti

Përzgjedhësi i Italisë në futboll, Luciano Spalletti, të dielën në konferencë për shtyp ka paralajmëruar ndryshime në formacion në ndeshjen ndaj Izraelit.

Ndeshja ndërmjet Izraelit dhe Italisë luhet të hënën në Budapest nga ora 20:45. Ndeshja i takon xhiros së dytë të Grupit 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve.

Spalletti ka konfirmuar se mbrojtësi Alessandro Bastoni do të jetë startues ndaj Izraelit.

“Është e vështirë të aktivizosh të njëjtin ekip si të premten, nuk është e mundur të kalosh lodhjen pas vetëm dy ditësh. Le të shohim se si janë djemtë, por nuk është e pazakontë të ndryshosh tre, katër, pesë lojtarë. Bastoni do të luajë nesër, sepse bëhet e ndërlikuar ta nxjerr jashtë ekipit atë. Ai ka përvojën më të madhe që mund të ndihmojë të gjithë ekipin”, ka thënë Spalletti.

Italia në ndeshjen e parë e mposhti Francën me rezultatin 3:1. Në grup me Italinë është edhe Belgjika.