Sipas trajnerit kosovar, Bylbyl Sokoli, Kosova duhet të kërkojë fitoren përballë Zvicrës të premten në Basel në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Sokoli ka thënë se parametrat aktualë janë në favor të Kosovës, duke marrë parasysh formën e të dyja ekipeve.
“Varësisht prej analizës që zakonisht bëhet për kundërshtarin, për ekipin tonë që nesër ka përballë një ekip i cili i ka disa karakteristika të kohëve të fundit, e ato janë që nuk është në formë të mirë për shkak të ndërrimit të gjeneratave e se Zvicra ka pasur shumë probleme në ndeshjet e fundit për shkak të efikasitetit. Në anën tjetër Kosova vazhdimisht ka shënuar ngritje, ka sjellë lojtarë cilësorë, ka trajner që e kontrollon grupin, ka trajner që di si të kualifikohet në Botëror dhe lojërat e fundit janë shumë efikase të përgatitura mirë e taktikisht... kur të bëhen këto analiza dhe disa parametra që i përmenda mund të jemi optimistë se gjasa reale kemi që të dalim me rezultat të favorshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova duhet të bëjë sa më shumë lojë kolektive. Teksa ka lavdëruar futbollistët e Kosovës, ai ka thënë se ekipi aktual dhe forma i bën “Dardanët” që të mos jenë kundërshtar i lehtë për askënd.
Ai ka thënë se ndeshjet e para, ajo ndaj Zvicrës dhe Suedisë edhe do të jenë përcaktuese se kush do të jetë favorit i grupit.
Për mospjesëmarrjen e yllit të Zvicrës, Granit Xhaka, në konferencën për media, Sokoli ka thënë se kjo mund të tregojë “mobilizimin e Zvicrës për të kontrolluar futbollistët që mund të kenë emocion para takimit”.
Ndeshja të premten luhet në Basel. E Kosova të hënën e pret Suedinë në “Fadil Vokrri”. Në Grupin B kualifikues është edhe Sllovenia.