Trajneri Bylbyl Sokoli ka vlerësuar se Kosova është shumë më afër për ta siguruar plejofin për kualifikim në Botërorin 2026 sesa Shqipëria. Sipas tij, “Dardanët” kanë gjasa edhe për vendin e parë, prandaj janë në avantazh krahasuar me Shqipërinë.
Në ndeshjet e nëntorit, Kosovës i duhet një pikë në ndeshjen në udhëtim ndaj Sllovenisë për ta siguruar plejofin. Teksa varësisht nga rezultati i ndeshjes Suedi – Zvicër, në ndeshjen e fundit ndaj helvetëve në Prishtinë mund të luajë për vendin e parë. Ndërsa Shqipërisë i duhet fitorja ndaj Andorrës dhe me shpresë që Serbia nuk e befason Anglinë në udhëtim për ta siguruar plejofin.
“Kosova është shumë më afër plejofit dhe kualifikimit – sepse ka gjasa edhe për vendin e parë. Ndërsa Shqipëria s’ka gjasa për vendin e parë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sa i përket Kosovës, Sokoli u shpreh se trajneri Franco Foda ka arritur ta konsolidojë skuadrën dhe ta kthejë në një ekip që di të fitojë edhe në ndeshje të vështira.
“Kosova ka një identitet të qartë loje. Foda ka krijuar një disiplinë taktike që nuk e kemi parë më herët. Edhe kur ekipi nuk dominon me topin, di si ta menaxhojë rezultatin. Kjo është arsyeja pse sot jemi shumë më afër suksesit se më parë”, ka shtuar Sokoli.
Ai ka përmendur edhe stabilitetin emocional dhe mental të skuadrës, që sipas tij, është një nga pikat kyçe të suksesit të fundit.
“Në ndeshjen me Suedinë e pamë që Kosova nuk humbi qetësinë as kur kundërshtari ushtroi presion. Lojtarët po tregojnë pjekuri dhe përvojë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse shanset janë reale për një sukses historik”, vijoi ai.
Sokoli gjithashtu paralajmëroi se mungesa e portierit Arijanet Muriq ndaj Sllovenisë mund të ndikojë në ekuilibrin e ekipit, por shtoi se Kosova ka alternativa të mira.
“Sigurisht që mungesa e Muriqit do të ndihet, sepse ai ka qenë fantastik në këto ndeshje. Por është e rëndësishme që grupi të mos e humbë besimin”, ka deklaruar trajneri.
Sokoli paralajmëroi se Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë ndaj Andorrës, prandaj u shpreh se duhet mobilizim si ndaj Serbisë.
“Ndeshja me Andorrën nuk është për t’u marrë lehtë. Nuk ka më kundërshtar të lehtë në futbollin modern. Nëse duan të shkojnë në plejof, duhet qasje serioze dhe mobilizim maksimal, ashtu si ndaj Serbisë”, përfundoi Sokoli.