Ekipet e Premier Leagues kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard funte në këtë afat kalimtar. Chelsea, Manchester City dhe Tottenhami kanë shpenzuar mbi 100 milionë funte për një lojtar të vetëm, duke thyer rekordet e klubit.
Transferimi prej 100 milionë funtesh i Sandro Tonalit te Tottenham Hotspur mbeti në hije nga transferimi prej 116 milionë funtesh i Elliot Anderson te Manchester City. Dhe kjo u pasua nga Chelsea që vendosi rekord të ri për lojtar britanikë duke nënshkruar me Morgan Rogers nga Aston Villa për 117 milionë funte.
Shpenzimet vijnë pas një afati kalimtar dimëror në të cilin klubet shpenzuan 2.2 miliardë euro në të gjithë botën.
Por fuqia financiare e Premier Leagues është e pakrahasueshme. Me miliarda në lojë, pyetja e logjikshme është si përgatiten klubet për të bërë lëvizjet?
Në muajin shkurt rreth 100 zyrtarë të klubeve, skautë dhe agjentë u mblodhën në Villa Park për një ngjarje të përbashkët.
Edhe
Klubet e Premier Leagues thyejnë rekordin për shpenzime në transferime
Me kafe dhe ëmbëlsira, përfaqësues nga klube si Liverpool, West Ham, Birmingham, Preston, Derby, Aston Villa dhe Manchester City biseduan, së bashku me agjentët, për t’u përgatitur për verën.
Pasdite, kreu i talenteve dhe huazimeve të Villas, Adam Henshall mbajti një prezantim mbi mënyrën se si klubi mbikëqyr huazimin e lojtarëve. Ai paraqiti të dhënat, elementet e rrezikut dhe shpërblimit që marrin në konsideratë para se të dërgojnë talentet e reja në huazim.
Henshall ishte pyetur të jepte një pasqyrë të funksionimit të Villas nga “TransferRoom”, e cila përdor platformën e saj online për të lidhur klubet dhe agjentët, duke filluar ose përshpejtuar lëvizjet.
Rreth 800 klube janë regjistruar dhe këtë javë Villa, Chelsea, Crystal Palace, Manchester City, Manchester United, Roma dhe Borussia Dortmundi do të jenë në mesin e mbi 200 klubeve që do të takohen me 55 agjenci në Madrid për një “ditë marrëveshjeje”, ku mund të finalizohen lëvizjet.
Qëllimi është të ndihmohen klubet në një afat kalimtar që pritet të shpërthejë në gjysmën e dytë të gushtit. Klubet nuk ishin në gjendje të bëjnë shumicën e marrëveshjeve më herët për shkak të Kupës së Botës.
Klubet synojnë të punojnë për të paktën një afat kalimtar përpara. Një drejtues i lartë i rekrutimit të Premier Leagues ka ngulur këmbë se çdo gjë tjetër është “reaksionare”.
Në nivelin elitar, klubet e dinë se kush ka më shumë gjasa të lëvizë dhe mund të planifikojnë paraprakisht.
Është më ndryshe në nivelet më të ulëta, ku ekziston pranimi se nëse një lojtar performon mirë, ai ka të ngjarë të largohet.
Në thelb çdo lojtar është në shitje dhe kjo i lë drejtorët sportivë dhe menaxherët të luftojnë me zjarr.
Për shumicën e klubeve planifikimi fillon herët për afatin kalimtar veror. Zakonisht puna nis menjëherë pas afatit dimëror.
Edhe
Chelsea prezanton transferin më të shtrenjtë në Premier League
Shumë gjëra varen nga rrjeti i klubit. Në disa raste klubet mund të kontaktojnë një agjenci 12 muaj para një transferimi, duke diskutuar kontratën ose tarifën e vlerësuar. Por lëvizje të tjera do të jenë vetëm disa ditë nga kontakti fillestar deri në përfundim.
Një nga lëvizjet më të mëdha këtë verë, pavarësisht se ishte lojtar i lirë, është ajo e kapitenit të Polonisë, Robert Lewandowski te Chicago Fire në MLS të SHBA-së. Ai lëvizi pasi i skadoi kontrata me Barcelonën.
Fire e kishte përcjellë Lewandowskin për një dekadë, duke besuar se mund ta bindë polakun të kalonte në SHBA, veçanërisht me komunitetin e madh polak në Chicago.
“Kjo tingëllon qesharake, pasi në atë fazë ai ishte në kulmin e karrierës dhe shënonte gola për Bayernin e më pas Barcelonën. Por kjo tregon planifikimin afatgjatë”, ka thënë drejtori sportiv i Fire, Gregg Broughton për BBC.
Kjo u bë realitet në janar 2025, kur Chicago Fire ishte në negociata për Neymarin, që e ka të njëjtin agjent, Pini Zahavi.
Neymari zgjodhi të kthehej në Brazil te Santosi dhe kështu u bë e qartë se Lewa mund të transferohej në Chicago.
Duke qenë në “listën e zbulimeve” të Fire, asnjë klub tjetër në MLS nuk mund ta transferonte Lewandowskin. Por klubi duhej të priste kohën e tij, përkatësisht që Barcelona të merrte vendimin për të ardhmen e 37-vjeçarit. Deri më 1 janar të këtij viti klubi amerikan nuk ishte në gjendje të fliste me polakun.
“Për një lojtar si Roberti nuk është thjesht një kontratë. Ka negociata tregtare për t’u zhvilluar. Si duket kjo në aspektin e karrierës së tij të ardhshme përtej futbollit? Çka do të thoshte për gruan e tij? Ku do të shkojnë në shkollë fëmijët e tij?”, tregon Broughton.
Lewandowski bëri udhëtimin e parë në qytet në qershor dhe u prit me bujë të madhe. Kishte mesazhe në tabelat e reklamave ku shkruante “mirë se vini në Chicago”.
Lewandowski firmosi për dy vjet, pasi Chicago Fire mbajti larg interesin evropian dhe saudit.
Edhe
Chelsea siguron Rogersin për 117 milionë funte
Disa mendojnë se ndikimi në rritje i agjentëve e ka bërë afatin kalimtar më të komplikuar, sepse ata duan më shumë kontroll në marrëveshjet midis klubeve. Shumë marrëveshje realizohen në ditën e fundit, ndonëse shumë ekipe konsiderojnë se rreziku është më i madh nga transferimet e momentit të fundit.
Shumica e marrëveshjeve të mëdha arrihen javë më parë. Dhe nëse ato mbesin për orët e fundit, zakonisht është për shkak se shifrat duhet të finalizohen.