Chelsea ka kompletuar transferimin e futbollistes Alyssa Thompson nga Angel City të premten, në lëvizjen e fundit për shumë para në mesin e lojtareve.
Reprezentuesja e SHBA-së është transferuar për 1,15 milion euro, ndërsa ka firmosur kontratë pesëvjeçare.
“Chelsea është klub aq mahnitës, njëri prej më të mirëve në botë. Të jem në gjendje të luaj me lojtaret që janë më të mirat në botë është mundësi e jashtëzakonshme në moshë kaq të re. Dua të mësoj, të rritem dhe të zhvillohem shumë”, ka thënë sulmuesja 20-vjeçare.
Thomspon ishte zgjedhja e parë në draftin e ligës së futbollit në SHBA. Këtë edicion ajo i shënoi gjashtë gola në 16 paraqitje për Angel Cityn.
“Ajo është lojtare e krahut dinamike, me ritëm elektrik. Mund të luajë në krahë dhe është e mirë në lojën një kundër një”, ka thënë trajneri i futbollisteve të Chelseat, Paul Green.
“Alyssa është njëra prej lojtareve më të mira të reja në botë. Mezi presim të shohim se si do të zhvillohet ajo tutje gjatë kohës te Chelsea”, ka shtuar Green.
Konfirmimi për transferimin e Thompsonit erdhi në ditën kur London City Lionesses e kompletoi blerjen e mesfushores franceze, Grace Geyoro. Ajo është transferuar për shifër rekorde prej 1,61 milionë euro.
Një tjetër transferim i madh i kësaj vere te futbollistet ishte kalimi i meksikanes Lizbeth Ovalle te Orlando Pride në SHBA nga skuadra e Meksikës, Tigres. Ajo u transferua për 1,28 milionë euro. Për 1,11 milionë euro Olivia Smith kaloi nga Liverpooli tek Arsenali.
Chelsea është skuadër dominante në futbollin e femrave në Angli. Ka fituar gjashtë tituj rresht e po ashtu nëntë prej 11 titujve të fundit.
Evropiani i këtij viti, i mbajtur në Zvicër, ka rritur interesimin për futbollin e grave dhe vajzave. Por ende futbollistet paguhen dukshëm më pak se futbollistët.
Më në fund transferimi i futbollisteve ka nisur të kalojë shifrën e 1 milion eurove. Kjo ka ndodhur në pak raste deri në këtë verë.