Futboll

Shifrat e veçanta të afatit kalimtar veror

transfere

(Kicker) – Premier League theu sërish të gjitha rekordet këtë verë. Tarifat për transferime kaluan shifrën e 3,5 miliardë eurosh. La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1 nuk e arritën së bashku këtë shifër.

Top-pesë ligat e futbollit evropian ka kohë që janë bërë “një ligë dhe katër të tjera që e ndjekin atë”, të paktën në aspektin financiar. Kështu që nuk është befasi se në mesin e pesë klubeve që shpenzuan më së shumti këtë verë, katër janë nga Anglia.

480 milionë eurot e Liverpoolit

Asnjë klub në botë nuk ka shpenzuar për transferime sa kampioni anglez, Liverpooli. Madje shifra e Liverpoolit nuk është arritur asnjëherë në të kaluarën në një afat të vetëm veror. Liverpooli theu dy herë rekordin e Premier Leagues, duke shpenzuar fillimisht 125 milionë euro për Florian Wirtzin e më pas plot 144 milionë euro për Alexander Isakun.

Isaku, që ia doli të realizojë synimin për largim nga Newcastle Unitedi, është transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit, pas Neymarit dhe Kylian Mbappes.

Me Hugo Ekitiken e transferuar nga Frankfurti për 88 milionë euro, tri transferimet më të shtrenjta të verës u bënë nga Liverpooli.

Të kuqtë ishin në gjendje të ofrojnë këtë përkundër rregullave strikte të Premier Leagues për ferplejin financiar. Kjo u bë e mundur për shkak se Liverpooli ishte kursimtar në vitet e fundit dhe për shkak se klubi realizoi të hyra prej mbi 200 milionë euro.

Liverpooli ishte gati të kalonte shifrën e 500 milionë eurove të shpenzuara, por lëvizja e Marc Guehit nga Crystal Palace u bllokua në momentet e fundit.

mst: Chelsea me të hyrat më të mëdha nga shitja e lojtarëve – mbi 330 milionë euro

Chelsea si zakonisht ishte shumë i angazhuar në afatin kalimtar veror të futbollistëve. Verën e kaluar, Chelesa kishte shpenzime prej rreth 230 milionë euro, ndërsa të hyrat e klubit londinez ishin 175 milionë euro.

Këtë afat, Chelsea rriti si shpenzimet ashtu edhe të hyrat. Falë Liverpoolit, blutë e Londrës kryesojnë vetëm sa u takon të hyrave të realizuara nga shitja e lojtarëve.

Pasi disi limitoi shpenzimet, Chelsea regjistroi tepricë prej rreth 3 milionë euro.

Chelsea ka shitur plot 22 lojtarë, ndërsa 11 të tjerë dërgoi në huazim. Të hyrat i ka 330 milionë euro.

Më së shumti fitoi nga shitja e Noni Madueke tek Arsenali, 55 milionë euro. Christopher Nkunku kaloi te Milani për rreth 37 milionë euro. Të dy ishin transferuar vetëm në vitin 2023. Edhe një herë klubi londinez shiti me sukses lojtarë që kishin vetëm pak paraqitje, si Carney Chukwuemeka që kaloi te Dortmundi dhe Lesley Ugochukwu te Burnley.

Ristrukturimi i vazhdueshëm i skuadrës duket se është në ADN-në e klubit që tani udhëhiqet nga Todd Brady. Kjo bëhet me qëllim për ta mbajtur skuadrën të re dhe të uritur. Por te Chelsea kujdesen maksimalisht për të respektuar rregullat e ferplejit financiar.

Fitimet më të mëdha nga transferimet, nga rreth 100 milionë euro për Monacon e Bournemouthin

Dy klube arritën të mbyllin verën e transferimeve me një fitim nëntëshifror. Njëri prej klubeve madje është nga Premier League – Bournemouthi.

Kjo skuadër shiti tre prej katër lojtarëve të vijës mbrojtëse. Ilya Zabarnyi kaloi te PSG-ja, Dean Huijsen te Real Madridi e Milosh Kerkez te Liverpooli. Të hyrat për Bournemouthin ishin rreth 170 milionë euro. Dango Outtara u transferua te Brentfordi për rreth 40 milionë euro.

Klubi bëri zëvendësime modeste për të larguarit. Por e nisi mirë edicionin duke mbledhur gjashtë pikë në tri xhirot e para.

Monaco është klubi i vetëm jo anglez në këtë listë. Monaco fitoi më së shumti nga shitja e lojtarëve të rinj. Eliesse Ben Seghir u transferua te Leverkuseni për 32 milionë euro, ndërsa Wilfried Singo kaloi te Galatasaray për 31 milionë euro. Ndërkohë Monaco u fokusua në blerjen e veteranëve jo të shtrenjtë si Lukas Hradecky dhe Eric Dier dhe te lojtarë që synojnë të kthehen në rrugën e duhur, si Ansu Fati e Paul Pogba.

Në këtë mënyrë te Monaco kërkojnë suksesin në Ligën e Kampionëve.

Minusi prej 280 milionë eurosh i Arsenalit

Pas tre vjetësh si nënkampionë, “topçinjtë” kërkojnë titullin e kampionit në Premier League dhe nuk frikësohen të rrezikojnë financiarisht për ta arritur këtë.

Arsenali angazhoi lojtarë si Martin Zubimendi, i transferuar nga Real Sociedadi për 70 milionë euro, Eberechi Eze nga Crystal Palace, Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona dhe Noni Madueke nga Chelsea.

Shpenzimet e Arsenalit janë afro 300 milionë euro.

Për Piero Hincapien e Leverkusenit, Arsenali nuk duhet të paguajë deri në vitin e ardhshëm.

Nga shitja e lojtarëve, Arsenali fitoi pak më shumë se dhjetë milionë euro. Kjo tregon për ambiciet e trajnerit Mikel Arteta – ta forcojë skuadrën e sidomos pozitën në tabelë. Një gjë është e qartë – Arsenali përfundimisht nuk do të dojë të mungojë në Ligën e Kampionëve pas kësaj vere.