Me ndeshjen Shqipëria – Portugalia hapet Kampionati Evropian për futbollistët deri në 17 vjet. Ndeshja zhvillohet të hënën prej orës 18:00 në “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Për herë të parë në Shqipëri organizohet një kampionat evropian në futboll. UEFA në shtator të vitit 2023 ia kishte besuar Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Shqipëria merr pjesë në Evropian si nikoqire. Është debutuesja e vetme, ndërsa garon në Grupin A ku janë edhe Franca e Gjermania. Ndeshja mes Gjermanisë dhe Francës zhvillohet të hënën prej orës 20:30 në Elbasan.
Në Grupin B garojnë Italia, Belgjika, Anglia dhe Çekia. Ndeshjet e para në këtë grup janë të martën. Në Rrogozhinë nga ora 18:00 takohen Anglia e Belgjika, ndërsa në Durrës nga ora 20:30 është takimi Italia – Çekia.
Pas tri xhirove në fazën grupore, gjysmëfinalet zhvillohen më 29 maj në Elbasan e Tiranë. Finalja është më 1 qershor në Tiranë.
Selektori i Shqipërisë, Andrea Tedesco, të shtunën shpalli listën e lojtarëve të ftuar. Disa prej tyre janë me rrënjë nga Kosova.
Tekniku italian e vlerëson mundësi të madhe organizimin e Evropianit në Shqipëri.
“Jam shumë i lumtur që ekipi ynë është pjesë e fazës finale të Evropianit. Uroj që të jetë përvojë e mirë për të gjithë skuadrën, stafin dhe federatën. Është hera e parë që jemi në finalet e një gare kaq të rëndësishme. Objektivi ynë primar është që t’u japim kënaqësi tifozëve, atyre që do të na mbështesin dhe të na ndjekin”, ka thënë Tedesco të dielën në një konferencë për shtyp.
Secila pikë do të jetë me vlerë të madhe për kuqezinjtë e rinj. Si debutuese, Shqipëria është autsajdere.
“Jemi gati dhe do të mundohemi të luajmë sa më mirë. Forcën tonë duhet ta tregojmë në fushë. Me lojtarët e rinj mund të befasosh si për të mirë ashtu edhe për të keq. Në futbollin e të rinjve nuk ka rëndësi rezultati. E rëndësishme është paraqitja dhe rritja e skuadrës. Synojmë të kemi paraqitje shumë të mira”, ka shtuar selektori i Shqipërisë U17.
Në vitin 2027, FSHF-ja e organizon Evropianin e 21-vjeçarëve, bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë. Por organizimi i atij Evropiani vazhdon të kundërshtohet fuqishëm nga tifozët shqiptarë.