Futboll

“Sekretet” e kthimit të shkëlqimit të Barcelonës

Barcelona

Lamine Yamal ofroi shkëlqimin, Pedri vendosi ritmin, ndërsa Raphinha shënoi golat vendimtarë. Dhe me kontributin e tyre, por edhe të të tjerëve, Barcelona e fitoi titullin e kampionit në La Liga, duke luajtur futbollin e saj më energjik që nga koha kur Lionel Messi ishte në formën më të mirë.

Futbollistët e Barcelonës dominuan në të gjitha garat në Spanjë, ndërsa suksesi i skuadrës është meritë e madhe e trajnerit Hansi Flick. Ish-trajneri i Bayernit mori drejtimin e një skuadre që nuk fitoi asgjë në edicionin e kaluar me Xavi  Hernandezin. E shndërroi atë në një nga ekipet me futbollin më argëtues në Evropë.

Plani i lojës së Flickut duke bërë presion të lartë në fushë për të rikuperuar topat në pozicionin sulmues, u ekzekutua me përkushtim nga lojtarët. Rezultati ishte titulli i kampionit, Kupa dhe Superkupa e Spanjës si dhe një gjysmëfinale e paharrueshme e Championsit ndaj Interit.

Një supergol i Lamine Yamal e bëri dallimin të enjten në fitoren 2:0 të Barcelonës ndaj Espanyolit. Me këtë fitore, Barça e siguroi titullin e kampionit.

“Flick ka shumë hise në këtë sukses”, ka thënë Pedri pas ndeshjes në Espanyol. “Ai e ndryshoi plotësisht ekipin dhe ky edicion është një për ta mbajtur në mend”.

Topi te Yamali

Yamali u konfirmua si superylli i ri i futbollit botëror. U shfaq fuqishëm në skenë disa javë para se të fillonte edicioni në La Liga, duke shkëlqyer me Spanjën në triumfin në Kampionat Evropian.

Ai e vazhdoi lojën fantastike gjatë edicionit me Barcelonën. Pesha e 17-vjeçarit në sulm sa shkonte e rritej, njëjtë si roli i tij si motivues i zëshëm. 

Komenti i tij për një bashkëlojtar kur Madridi ishte duke udhëhequr 2:1 në finale të Kupës së Mbretit përmbledh mentalitetin e tij dhe të Barcelonës.

“Nuk ka rëndësi nëse kundërshtarët e shënojnë një gol, nuk ka rëndësi nëse i shënojnë edhe dy. Ata nuk mund të maten me ne”.

Barcelona në fund fitoi 3:2.

Yamali udhëhoqi disa rikthime sensacionale dhe ishte prej kryesorëve në dominimin e Barcelonës në katër klasiket me Real Madridin. Rezultati i përgjithshëm në këto katër ndeshje ishte 16:7 për Barcelonën. Bëhet fjalë për dy ndeshjet në kampionat, finalen e Kupës dhe të Superkupës.

Sa për ta konfirmuar ndikimin, ai shënoi supergol për ta udhëhequr skuadrën në ndeshjen që vulosi titullin.

Ringjallja e Raphinhas

Asnjë lojtar nuk simbolizon ripërtërirjen e Barcelonës këtë edicion më mirë se Raphinha. Braziliani u shndërrua nga një sulmues i fuqishëm krahu në një golashënues vendimtar dhe lider të ekipit që mund të luante në pozicione të shumta. 

Sulmuesi i shënoi 18 gola në La Liga dhe 34 gjithsej. Shënoi dy herë në fitoren 4:3 me rikthim të rezultatit ndaj Real Madridit, që thuajse vendosi garën për titull në Spanjë.

Robert Lewandowski i kishte 25 gola në ligë. Veterani polak e kompletoi sulmin e fuqishëm me tre lojtarë, që u krahasua me treshen e madhe të Barcelonës, Messi, Neymar, Luis Suarez.

Golat e sulmuesve dhe loja e shkëlqyer e mbrojtësit të djathtë, Jules Kounde, arsyetuan vendimin e presidentit të Barcelonës, Juan Laporta, që tre vjet më parë shiti të drejtat televizive dhe asete të tjera në mënyrë që të transferoheshin lojtarë si Kounde, Lewandowski e Raphinha. Ishte pjesë e një përpjekjeje për ta kthyer klubin në rrugën e sukseseve.

Ferran Torres gjithashtu shfaqi shumë në sulm, sidomos kur Lewandowski u lëndua në fund të edicionit.

Ylli i mesfushës

Pavarësisht lojës fantastike në sulm, lojtari më i rëndësishëm i Flickut ishte Pedri. 

Në moshën 22-vjeçare, mesfushori po e kompleton edicionin e pestë si startues i padiskutueshëm. Ai shfaqi nivelin më të lartë që kur nisi të luajë si adoleshent. Ai udhëhoqi mjeshtërisht mesfushën dhe po bëhet pasardhës shumë i denjë i legjendave si Xavi dhe Andres Iniesta. Shquhet për kontrollin e topit, vizionin, pasimet dhe ndjenjën e shkëlqyer për veprime në kohë të duhur.

Pedri u ndihmua nga Dani Olmo, Frenkie de Jong, Gavi Paez, Fermin Lopez dhe Marc Cascado për të ofruar mesfushën më të mirë në ligë.

Presioni dhe mbrojtja

Ndryshimi më i dukshëm i Flickut ishte vija e mbrojtjes e vendosur shumë lart. Alejandro Balde, Inigo Martinez, Pau Cubarsi dhe Kounde ishin mbrojtësit e përzgjedhur për ekipin bazë. Ata kanë shtyrë skuadrën para në fushë dhe kanë pasur koordinim të përkryer për të siguruar pozita jashtë loje të kundërshtarit. Ngushtuan hapësirën që kundërshtarët kishin dhe lejuan bashkëlojtarët të sulmonin dhe të rrëmbenin topin me efekt shkatërrues. 

Një meritë e madhe i shkon portierit Wojciech Szczesny, i cili u kthye nga pensionimi për të ruajtur portën pas lëndimit të Marc-Andre Ter Stegen. Dhe këtë e bëri shumë mirë.

E ardhmja e ndritur

Ndërkohë e ardhmja e Barcelonës duket e ndritur. Yamali në moshën 17-vjeçare po e udhëheq skuadrën. Pedri, Gavi, Cubarsi, Fermin, Balde, Casado, Pablo Torre, Ansu Fati dhe Gerard Martin, së bashku me lojtarë të tjerë të ekipit të të rinjve të shfrytëzuar nga Flick, janë më të rinj se 28 vjeç.

Lojtarët e vetëm pranë fundit të karrierës janë 36-vjeçari Lewandowski dhe 33-vjeçari Martinez. 
Pra Barcelona e Flickut ka potencialin për të vazhduar me suksese kulmore edhe në vitet e ardhshme.