Futboll

Rrahmanit i kishte munguar festa për gola të shënuar

Amir Rrahmani

Amir Rrahmani ka shënuar tjetër gol në Serie A dhe ka vendosur rekord. 

Me golin e shënuar në fitoren e kampionit të Italisë, Napolit, në udhëtim te Lazio, Rrahmani konfirmoi se është i rëndësishëm edhe në fazën ofensive. 31-vjeçari shënoi me goditje me kokë në minutën e 32-të, në fitoren 2:0 në “Olimpico”, në ndeshjen e xhiros së 18-të të elitës italiane. Golin e parë e shënoi mbrojtësi tjetër, Leonardo Spinazzola, në minutën e 13-të. 

Me fitore Napoli e vazhdon garën e fortë për titull me Milanin, Interin dhe Juventusin. I ka 37 pikë pas 17 ndeshjeve të luajtura. 

Për Rrahmanin ishte goli i parë i edicionit në Serie A. Por në pesë edicionet e fundit, nga ai 2021/2022 e tutje, kapiteni i Kosovës i ka 11 gola në kampionatin e Italisë. Asnjë mbrojtës tjetër i qendrës nuk ka shënuar kaq shumë gola në Serie A gjatë kësaj periudhe. 

Rrahmani pas ndeshjes u shpreh shumë i lumtur për golin që e shënoi pas një kohe të gjatë. Për herë të fundit Rrahmani kishte shënuar gol në Serie A më 21 dhjetor të vitit 2024. Kishte realizuar në fitoren 2:1 në udhëtim te Genoa. 

“Ne gjithmonë punojmë në skema nga ndërprerjet dhe jam i lumtur që e gjeta rrugën e golit sërish. Ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Kemi lojtarë që janë shumë të fuqishëm dhe gjithmonë mund të jemi të rrezikshëm. Me të vërtetë më kishte munguar festa e golit, por gjithmonë është edhe më mirë kur ekipi fiton në fund”, ka deklaruar Rrahmani për transmetuesin televiziv “DAZN”. 

Ai skuadrës së Napolit i ishte bashkuar në vitin 2020, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2027. Ishte transferuar nga Verona për 15.3 milionë euro. Karrierë ka bërë edhe te Dinamo e Zagrebit, Lokomotiva, Spliti, Partizani i Tiranës, Drenica e Ramiz Sadiku. Karrierën e kishte nisur te Kosova e Prishtinës. 

Te Napoli në vitet e fundit është bërë shumë i rëndësishëm. Për shkak të lëndimit muskulor në duelin e Kosovës ndaj Zvicrës, i mungoi Napolit në dhjetë ndeshje në fillim të këtij edicioni. Në ato ndeshje kampioni i Italisë pranoi shumë gola. Dhe në Itali kanë shkruar vazhdimisht për mungesën e Rrahmanit dhe rëndësinë që ai ka për trajnerin Antonio Conte. 

“Është fitorja e katërt rresht me rezultatin 2:0. Jemi ekip solid dhe shpresojmë që të kemi më shumë rezultate të tilla, edhe pse në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Asgjë nuk ka të garantuar”, është shprehur Rrahmani pas fitores në ndeshjen që pati fund të tensionuar ku u dhanë tre kartonë të kuq. 

Për Rrahmanin në konferencën për shtyp ka folur edhe trajneri Antonio Conte. Tekniku italian i vlerëson lart cilësitë që Rrahmani i ka. 

“Mendoj se ne duhet të provojmë situata të tilla. Ne nuk po punojmë vetëm se si t’i qasemi kundërshtarit, por edhe për situatat pas ndërprerjeve. Dhe Amiri është njëri nga ata lojtarë që duhet të jenë me vetëbesim kur shkëputen për goditje. Edhe ndaj Cremoneses ai kishte mundësi të artë shënimi. Herët apo vonë, frutat e punës sonë do të dalin në pah, por jam shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit. Kemi bërë paraqitje të nivelit të lartë, pasi ndeshjet ndaj Lazios në ‘Olimpico’ janë të vështira për këdo”, theksoi Conte. 

Rrahmani me Napolin e nisën vitin me fitore. Suksesi i së dielës erdhi pas triumfit në Superkupën e Italisë në fundin e vitit të kaluar. Kosovari me Napolin i ka dy tituj kampioni.