Futboll

Rooney flet për Xhakën: Me gjasë transferimi i stinorit

Granit Xhaka

Legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, ka thënë se kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, “me gjasë është transferimi më i mirë i këtij edicioni”.

Sunderlandi ka mahnitur me rezultate pas kthimit në Premier League. Pas 11 xhirove është në vendin e katërt me 19 pikë. Synimi i madh për të mbetur në elitë duket shumë i arritshëm.

Ish-mesfushori i Arsenalit, Xhaka, ka qenë vendimtar në ecurinë e deritashme të Sunderlandit. Sipas BBC-së, Xhaka është dalluar falë përvojës dhe aftësive të liderit.

Ai ka luajtur të gjithë minutat e mundshëm në ligë, ndërsa ka një gol e tri asistime.

Kosovari është më i miri te Sunderlandi për asistime, raste të krijuara, prekje të topit, pasime të suksesshme, duele të fituara dhe distancë të kaluar. Sunderlandi transferoi disa lojtarë, ndërsa Xhaka kaloi nga Bayer Leverkuseni për dëmshpërblim fillestar prej 13 milionë funtesh.

“Duke u kthyer në Premier League, ka pasur dilema nëse do t’ia dal. Kishte pyetje se cili do të jetë ndikimi i tij në një ekip që po ashtu po rikthehej. Por ai me gjasë ishte transferimi i stinorit. Ishte brilant”, ka thënë Rooney për Xhakën, shkruan BBC. 

Rooney është legjendë e Manchester Unitedit dhe Anglisë. Është prej sulmuesve më të mirë që ka pasur Anglia ndonjëherë.

Xhaka i kishte 297 paraqitje për Arsenalin, ndërsa fitoi dy trofe të Kupës FA. Ai ishte figurë e rëndësishme tek Arsenali, por jo gjithnjë e kishte përkrahjen e të gjithëve. Ndër të tjera ka pasur një konflikt edhe me tifozët e skuadrës.

“Kur ai e kishte situatën me Arsenalin, kur kishte përplasjen me tifozët, ai shfaqi karakter dhe u kthye që të luajë për Arsenalin sërish”, ka thënë Rooney.

Dy vjetët e kaluar, kapiteni i Zvicrës i kaloi në Gjermani te Bayer Leverkuseni.

“Të kalosh atë dhe të kthehesh e të përformosh për Arsenalin, më pas në Leverkusen të jesh pjesë e ekipit që mposhti Bayernin në garën për titull për herë të parë për një dekadë, tregon se sa lojtar i mirë është ai. Sunderlandi ka po ashtu ekip shumë të ri. Ai është si nëj figurë atërore në ekip dhe është ndihmë e madhe për trajnerin si kapiten. Me përvojën e tij do të jetë ndihmë masive për trajnerin dhe lojtarët”, ka vazhduar Rooney me vlerësimin për Granit Xhakën.