Mediat në Rusi i kanë kushtuar shumë vëmendje golit të Mirlind Dakut ndaj Zenit St. Petersburgut.
Muajin e kaluar është diskutuar gjatë për kalimin e Dakut nga Rubin Kazanit te Zeniti.
Por sulmuesi kosovar mbeti te Rubini dhe të dielën shënoi në minutën e 90-të për barazimin 2:2 me Zenitin. Golin e parë e shënoi reprezentuesi i ri i Kosovës, Veldin Hoxha.
Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, është pyetur nëse ndeshja ndaj Zenitit ishte speciale për Dakun. U vlerësua se ai nuk kishte paraqitjen më të mirë, por megjithatë siguroi një pikë me golin në fund.
“Ai duhet ta kuptojë se të gjitha ndeshjet janë speciale për të. Ai ka një nivel të caktuar, por nuk e mban atë gjatë 90 minutave. Kur fillon, çdo gjë është e qartë. Çfarë dallimi bën nëse ka kaluar në Zenit apo jo? Janë të gjitha ndeshje kampionale, ju vetëm duhet të mbani nivelin, stabilitetin dhe të zhvilloheni tutje”, ka thënë Rakhimov.
Kapiteni i Rubin Kazanit, Igor Vujaçiq ka thënë se Daku është sulmuesi më i mirë në Rusi së bashku me John Cordoban. Ka thënë se Daku do të mund të luante në Spanjë, ndërsa ka përmendur Real Sociedadin. Mbrojtësi nga Mali i Zi ka theksuar se Daku ka kualitet.
“Duhet të prisni momentin që ai të realizojë. Mbrojtësit e Zenitit kanë luajtur mirë ndaj tij. Ishte e vështirë për të, është dashur të bëjë shumë pa top. Por në pjesën e dytë gjeti momentin e tij. Kjo është forca e Dakut”.
Mbrojtësi i Zenitit, Vanja Drkushiq ka thënë se Daku është njëri prej lojtarëve më të mirë në kampionatin rus. Edhe trajneri i Zenitit, Sergei Semak ka thënë se Daku është lojtar i mirë.