Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muriq, ka stërvitur i ndarë nga grupi të martën në prag të ndeshjes kundër Izraelit në Debrecen.
Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Portieri Muriq, pësoi lëndim në momentin kur Kosova e pranoi golin e tretë ndaj Austrisë të dielën. Në vend të portierit Muriq, në portë u inkuadrua Amir Shaipi.
“Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Izraelit, që zhvillohet të enjten në Hungari. Në stërvitjen e sotme, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar me të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa Arijanet Muriq, për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër Austrisë në Vjenë, ka zhvilluar vetëm stërvitje të lehtë nën përkujdesjen e trajnerit atletik”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Ndeshja Izrael – Kosovë luhet të enjten nga ora 20:45 në Debrecen të Hungarisë.
I takon Grupit B3 të Ligës së Kombeve.