Futboll

Pasi u paraqit në Botëror me Benfican, Bajrami huazohet te Luzerni

bajrami

Adrian Bajrami ishte njëri prej dy lojtarëve shqiptarë në Kupën e Botës për Klube që të dielën përfundoi në SHBA. Ai i regjistroi dy paraqitje për skuadrën e madhe portugeze, Benfica.

Por mbrojtësi 23-vjeçar nuk do të jetë pjesë e klubit portugez në edicionin e ardhshëm. Të hënën Bajrami është huazuar për edicionin 2025/2026 te Luzerni i Superligës së Zvicrës.

Bajrami është mbrojtës i qendrës, ndërsa është i lindur dhe i rritur në Zvicër. Pasi e mësoi futbollin te dy skuadra të vogla zvicerane, futbollisti shqiptar iu bashkua Young Boysit në vitin 2017. Një vit më pas bëri lëvizjen për te Benfica, ku u zhvillua deri më tani. Ai ka luajtur për Zvicrën U18 e më pas për Shqipërinë U19 dhe U21. I ka tri paraqitjet për të rriturit e Shqipërisë.

Luzerni e ka opsionin për ta blerë Bajramin në fund të edicionit.

“Me Adrianin ne po e sigurojmë një mbrojtës qendror të fortë, që po ashtu mund të luajë si mbrojtës i majtë. Ai ka aftësi natyrale të liderit, që e ndihmojnë ekipin tonë të ri”, ka thënë drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer.

Në Botëror në SHBA, Bajrami luajti si zëvendësues ndaj Auckaldn Cityt në fitoren 6:0 të Benficas e më pas edhe në fitoren 1:0 ndaj Bayernit. Të dyja ndeshjet i takuan fazës grupore.

Me Benfican ka kontratë deri në vitin 2029.  

Bajrami me Benfican B i luajti 56 ndeshje. 49 të tjera i ka me ekipin U23 të gjigantit portugez. Ndërkohë, me ekipin e parë të Benficas i luajti gjashtë ndeshje.

Në elitën portugeze debutoi më 17 janar. Nuk ka luajtur ndeshje tjetër prej atëherë. I ka edhe tri ndeshje për Kupë të Portugalisë këtë vit, ndërsa e realizoi një gol.

Me Bajramin, numri i futbollistëve shqiptarë në Superligën e Zvicrës vetëm sa shkon e rritet. Pjesë e Luzernit është edhe mbrojtësi i Kosovës, Ismajl Beka.

Luzerni është njëra prej skuadrave ku paraqiten vazhdimisht futbollistë shqiptarë.

Në Botërorin e klubeve prej shqiptarëve, pos Bajramit, u paraqit edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Regont Murati. Ai ishte pjesë e skuadrës amatore nga Zelanda e Re, Auckland City.