Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Një shqiptar është legjendë e klubit që po dominon në Zvicër

Thun

I kthyer në Superligën e Zvicrës në këtë edicion, askush nuk ka mundur të parashikojë që Thuni do të jetë fare pranë titullit të kampionit në fillim të marsit.

Por vetëm ndonjë befasi mund ta lërë pa titull Thunin. Pas xhiros së 27-të kjo skuadër i ka 64 pikë, plot 14 më shumë se St. Galleni. Lugano, Baseli, Sioni dhe skuadrat e tjera janë edhe më larg.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Thuni, që nuk është prej skuadrave të mëdha e të njohura në Zvicër, është në seri prej dhjetë fitoreve.

Valmir Matoshi e Kastriot Imeri po shkëlqejnë te Thuni, sidomos në javët e fundit.

Por është një futbollist tjetër shqiptar që është legjendë e Thunit.

Milaim Rama.

Ai është shqiptari i parë që ka luajtur për Zvicrën. Ka hapur dyert për futbollistë të shumtë shqiptarë që kanë luajtur për Zvicrën. Ka dekada që Zvicra nuk mendohet pa shqiptarë.

Në nivel klubesh Rama ka bërë histori te Thuni i “vogël”.

Milaim Rama

“Natyrisht që e përcjell ecurinë e skuadrës dhe që i gëzohem sukseseve të Thunit. Dy herë e kemi ngjitur këtë skuadër në Superligën e Zvicrës. Madje herën e parë pas plot 47 vjetëve. Dhe 25 golat që i shënova unë ishin vendimtarë në atë kampanjë që mbeti në histori”, ka thënë Milaim Rama për KOHËN.

Ai është golashënuesi më i mirë në histori të Thunit. Tregon se e ka edhe numrin më të madh të ndeshjeve.

“Të evidentuar i kam 113 gola në kategorinë e dytë të Zvicrës dhe në Superligë. Por sipas llogaritjeve janë 115 gola. Është një shifër që mund të qëndrojë gjatë. Klubi natyrisht nuk është prej të mëdhenjve në Zvicër. Për shembull këtë edicion ka buxhet prej 11 milionë eurove. Klubet e tjera kanë buxhet shumë herë më të madh”, tregon Rama.

Ai luajti për Thunin nga viti 1997 e deri në vitin 2004 dhe nga viti 2006 e deri në vitin 2012, kur e përfundoi karrierën.

Por si po ia del një skuadër me buxhet modest dhe e kthyer në Superligë të dominojë në Zvicër?

“Kjo që ka bërë Thuni është e pabesueshme. Nëse fiton titullin do të jetë historike. Thuni nuk ka fituar titull deri më tani. Suksesi sigurisht është meritë e trajnerit, por edhe e klubit. Klubi ia doli të mbajë lojtarët me të cilët siguroi Superligën dhe bëri disa përforcime që e rritën cilësinë”, thotë Rama, tani 50-vjeçar.

Ai ka luajtur sulmues dhe është shquar për numrin e madh të golave.

Mesfushori Valmir Matoshi është 22-vjeçar dhe është zhvilluar te Thuni. Ka katër gola e katër asistime në 24 paraqitje këtë edicion.

Kastriot Imeri është emër më i njohur në futbollin zviceran. Ai shkëlqeu te Servette, por jo edhe tek Young Boys. Për këtë arsye u huazua te Thuni, ku po ka liri në fushë dhe po shkëlqen. 25-vjeçari po ashtu luan në mesfushë. Ai ka debutuar te Zvicra në vitin 2021, por nuk është llogaritur në vitet e fundit. Megjithatë pas formës që po e shfaq te Thuni, ka raportime të shumta se Imeri mund të kthehet te Zvicra. Imeri i ka gjashtë gola e pesë asistime në 21 paraqitje për Thunin.

“Matoshi është zhvilluar te Thuni dhe është lojtar vendimtar. E ka vendin në përbërjen startuese në secilën ndeshje, në bazë të asaj që po shfaqë. Ardhja e Imerit nga Young Boys, ku nuk shfaqi atë që pritej prej tij, ka rritur cilësinë te Thuni. Imeri po e ka lirinë që i duhet në fushë dhe nuk janë të rastësishme raportimet që mund të kthehet te Zvicra. Te Servette ishte lojtar i jashtëzakonshëm. Edhe me kontributin e madh të dy shqiptarëve, Thuni po shkon drejt titullit. Nëse e fiton do të ishte historike”, ka theksuar Rama.

Rama: Nëse Kosova luan si kundër Suedisë, kalimi i Sllovakisë plotësisht i mundur

Milaim Rama është optimist se Kosova do ta mposhtë Sllovakinë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Ndeshja zhvillohet më 26 mars në Bratislavë.

“Si gjithë shqiptarët, besoj se Kosova do të jetë e suksesshme. Pas ciklit kualifikues shumë të suksesshëm, gjasat e Kosovës janë rritur shumë. Natyrisht, Sllovakia është përfaqësuese e fortë, por besoj se djemtë tanë do të jenë të përgatitur fizikisht dhe në aspektin mendorë. Nëse luajmë si kundër Suedisë, mundësitë janë shumë të mira që ta mposhtim Sllovakinë. Më pas në finale mund të ndodhë çdo gjë. Por natyrisht njëherë i gjithë fokusi është te ndeshja e 26 marsit me Sllovakinë”, ka thënë Milaim Rama.