Michelle Agyemang ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në karrierë. Dhe tani është e njohur si super-zëvendësuesja e Anglisë në Euro 2025.
Vetëm katër vjet më parë Michelle Agyemand “nuk kishte shumë afër aksionit”, duke shërbyer si mbledhëse e topave në një nga ndeshjet e para të Sarine Wiegman si përzgjedhëse e Anglisë në futboll.
Tani 19-vjeçare, sulmuesja e Arsenalit është lojtarja me e re në përfaqësuesen e Anglisë dhe njëra prej yjeve të Evropianit 2025 që po mbahet në Zvicër.
Ajo bëri të gjithë për vete të martën mbrëma. Agyemang hyri në lojë si zëvendësuese, pesë minuta para përfundimit të ndeshjes me Italinë. Italia po udhëhiqte 1:0 që nga minuta e 33-të dhe dukej se po arrinte në finale.
Por në minutën e gjashtë shtesë Agyemang shënoi gol. Realizoi me qetësi golin e barazimit 1:1, duke bërë që e gjithë Anglia të festojë.
Goditja e saj e qetë bëri që ndeshja të shkonte në vazhdime. Një tjetër lojtare e Arsenalit, Chloe Kelly, e shënoi golin e fitores 2:1 të Anglisë në minutën e 119-të.
Pos Kellyt, lëvdata të mëdha për rikthimin e madh mori edhe talentja Agyemang. Ajo e luajti ndeshjen e parë me Anglinë në prill të këtij viti. Dhe shënoi gol vetëm 41 sekonda pasi hyri në lojë si zëvendësuese ndaj Belgjikës.
Prej atëherë, ajo ka ndërtuar reputacionin e një super-zëvendësueseje. Në çerekfinale dhe gjysmëfinale të Euro 2025, hyri si zëvendësuese dhe shënoi gola vendimtarë.
“Kjo do të thotë gjithçka për mua. Jam shumë falënderuese ndaj Zotit për mënyrën se si më solli këtu. Vetëm katër vjet më parë isha një vajzë që ktheja topin në fusha për disa prej këtyre lojtareve me të cilat luaj tashmë”, ka thënë Agyemang.
Ajo vlerëson se vetëbesimi i ndihmoi që të bënte rrugëtimin e deritashëm.
“Që në moshë të re kam pasur vetëbesimin e duhur. Patjeter që do t’i thosha vetes sime më të re ‘shko dhe bëje atë që e di se mund ta bësh’”, ka shtuar sulmuesja angleze.
Ndonëse iu bashkua përfaqësueses seniore vetëm në pranverën e këtij viti, që do të thotë se disa prej bashkëlojtareve i njeh pak më shumë se dy muaj, goli i Agyemang u festua me një përqafim të zjarrtë nga të gjitha lojtaret e Anglisë. Ajo nuk do ta harrojë kurrë atë moment.
“Ai moment do të jetojë në zemrën time përgjithmonë. Tregon se sa ekip i bashkuar jemi. Tregon për luftën që bëjmë, zemrën dhe shpirtin që kemi”.
Në çerekfinale, Anglia ishte kthyer nga disavantazhi 2:0 për të fituar me penallti ndaj Suedisë. Suedia kishte shënuar në minutën e dytë me Kosovare Asllanin dhe më pas në minutën e 25-të. Por Lucy Bronze dhe Agyemang shënuan në minutën e 79-të dhe të 81-të për barazimin e madh. Më pas fitorja dhe vendi në gjysmëfinale u sigurua me penallti.
Gjysmëfinalja e Evropianit 2025 për futbolliste është të dielën nga ora 18:00 në “St. Jakob-Park” në Basel.