“Ndeshja e Yjeve” e organizuar nga Komuna e Prishtinës në nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës është mbyllur baras.
Lojtarët e ekipit të përzgjedhur nga Edon Zhegrova kanë barazuar 6:6 me ekipin e lojtarëve të përzgjedhur nga Milot Rashica.
Zhegrova dhe Rashica, dy lojtarët e Kosovës, nuk luajtën me Kosovën në fitoret e thella ndaj Armenisë dhe Komoreve shkaku i lëndimeve.
Por, patën paraqitje që zbavitën të pranishmit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të mërkurën mbrëma.
Zhegrova nuk ka luajtur për Lillen prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar. Ai pati telashe me muskujt aduktorë. Por, lëndimin e ka kaluar dhe ka nisur me stërvitje intensive për edicionin e ri.
Nuk dihet nëse Zhegrova do të mbetet te Lille edhe për një edicion tjetër, apo do të transferohet te ndonjë ekip tjetër evropian. Interesimi për të nuk mungon.