Futboll

Muriqi nuk ndalet, “sulmon” rekordin e legjendës Eto’o

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi po kalon formë jetësore. Për fat të keq golat e tij nuk po shfrytëzohen nga Mallorca, që të dielën pësoi tjetër humbje në La Liga të Spanjës.

Muriqi shënoi gol në ndeshjen e dytë rresht dhe këtë edicion ka arritur në shifrën e plot 11 golave. I ka 18 paraqitje kampionale.

Rekordi i edicionit 2022/2023, kur u shënoi 15 gola në La Liga, tashmë është e qartë se do të thyhet, nëse 31-vjeçari vazhdon me formën aktuale. Në dy edicionet e kaluara, prizrenasi i kishte nga shtatë gola. Ndërkohë i shënoi pesë gola në 16 paraqitje në pjesën e dytë të edicionit 2021/2022, pas kalimit nga Lazio.

Gjithsej na kampionatin spanjoll, ylli i Kosovës i ka 45 gola. Vetëm legjenda Samuel Eto’o ka më shumë gola se Muriqi për Mallorcan në La Liga – 54. Por me ecurinë akuale, Muriqi shpejtë do ta kalojë edhe kamerunasin.

45 gola në La Liga për Mallorcan i ka edhe Juan Arango, tashmë i pensionuar. Ai këtë shifër e kishte arritur në 183 ndeshje, ndërsa Muriqit i kanë mjaftuar 127. Eto’o ka luajtur 133 ndeshje për Mallorcan.

Por momentalisht golat e Muriqit nuk po shfrytëzohen nga pjesa tjetër e skuadrës së Mallorcas. Mallorca e humbi ndeshjen e dytë rresht, kurse është pa fitore në tri ndeshjet e fundit. Të dielën pësoi 2:1 nga Rayo Vallecano në kuadër të xhiros së 19-të.

Mallorca po rrëshqet drejt zonës së rrezikshme. Aktualisht është në vendin e 17-të me 18 pikë. 

Vallecano ka fituar me gol të shënuar nga penalltia në minutën e 42-të. Penalltia u vlerësua shumë e lehtë, ndërsa për këtë ka reaguar edhe trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate. Ai po ashtu ka shprehur keqardhje që skuadra nuk ka shfrytëzuar sa duhet 11 golat e kosovarit.

“Pjesa e parë e kampionatit ishte e keqe. Duhet të marrim shumë më tepër pikë dhe unë duhet të siguroj këtë. Nuk mund të ndodhë që Muriqi të shënojë 11 gola dhe ne të mos përfitojmë prej tyre. Duhet të jemi më të fokusuar”, ka thënë Arrasate.

Rayo Vallecano është skuadër e preferuar për kosovarin. Ai ka realizuar gola në shtatë prej tetë ndeshjeve kundër kësaj skuadre në La Liga. Fillimisht shënoi më 15 maj 2022. Nuk ka realizuar vetëm në ndeshjen e parafundit, më 24 maj të vitit të kaluar.