Futboll

Muriq i ringjallur pas kalimit te Sassuolo

Aro Muriq

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka theksuar se ka fituar energji të re pas kalimit te Sassuolo, në kampionatin elitar të Italisë, Serie A. 

Muriq, i cili ka ndërruar shumë skuadra në karrierë, ka dhënë një intervistë për mediumin “FOX Deportes”, ndërsa e ka përmendur edhe Kosovën. 

27-vjeçari është i pazëvendësueshëm në portën e Sassuolos, teksa e kompletoi edhe një tjetër ballafaqim të shtunën mbrëma, në fitoren 3:1 në udhëtim te Pisa. 

“Mendoj se kalimi te Sassuolo më ka dhënë energji të re, është si një botë e re. Kam ndërruar disa klube, por nuk jam dorëzuar asnjëherë. Mundohem gjithmonë ta bëj më të mirën”, ka deklaruar shtatlarti Muriq. 

Muriq i pazëvendësueshëm është edhe te Kosova. Ai i ka 48 paraqitje për “Dardanët”, qëkur debutoi në Ligën e Kombeve në fitoren 4:0 ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë më 20 nëntor të vitit 2018. 
Titullar pritet të jetë edhe për ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026. Më 26 mars, Kosova luan në Bratislavë ndaj Sllovakisë. Nëse e fiton atë ballafaqim, Kosova më 31 mars në Prishtinë e pret fituesen e ndeshjes Turqia – Rumania. 

Portieri i gjatë 198 centimetra ka thënë se pavarësisht se u lind në Zvicër, është krenar që e përfaqëson Kosovën. 

“U linda dhe u rrita në Zvicër. Kam shumë miq atje dhe e kam kaluar gjysmën e jetës time në atë vend. Padyshim, prindërit e mi, nëna ime nga Mali i Zi dhe babai im shqiptar, donin që unë të luaja për Kosovën. Dhe sigurisht se e zgjodha Kosovën. Mendoj se kemi pasur suksese deri tani në ndeshjet kualifikuese. Nuk pendohem aspak për vendimin. Jam shumë i lumtur që luaj për Kosovën. Natyrisht, e dua edhe Zvicrën”, theksoi Muriq. 

“FOX Deportes” ka përmendur edhe disa lojtarë të tjerë të Kosovës që luajnë në Serie A të Italisë. 
Ka paraqitur qendërmbrojtësin dhe kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmanin, futbollistin e krahut te Juventusi, Edon Zhegrovën, dhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Mërgim Vojvodën. 
Muriq, njësoj si shumë lojtarë tjerë të Kosovës, është rritur jashtë atdheut. 

Ai foli edhe për një gjë tjetër që ka marrë vëmendjen e mediave – lidhjen e nyjës mbi dorëza. 

“Nuk bëj lidhje të gishtave me shirita ngjitës, sepse kam gishta të gjatë dhe dua t’i ndjej ato brenda në dorëza. Kështu që vetëm e bëj një lidhje lart. Kjo është arsyeja. Kjo ka nisur shumë kohë më parë. E mbaj mend se i ndieja dorëzat të lira dhe mendova se më mirë ishte t’i vendosja shirit ngjitës. Pata ndeshje të mirë dhe që nga ajo kohë, e bëj këtë para çdo ndeshjeje”, deklaroi Muriq. 

Muriq është rritur te të rinjtë e YF Juventus dhe Zurichut në Zvicër. Më pas kaloi te të rinjtë e Manchester Cityt. Karrierë ka bërë edhe te NAC Breda, Nottingham Foresti, Girona, Willem II, Adana Demirspor, Burnley dhe së fundmi tek Ipswich. 

I ka edhe dy paraqitje për U21 të Malit të Zi.