Futboll

Mediat serbe i kushtojnë rëndësi deklaratës së Dukës për “tifozët shqiptarë në Leskovc”

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka

Të hënën është zyrtarizuar vendimi që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë të luhet në Leskovc e jo në Beograd.

Dhe, ashtu si pritej, Shqipëria nuk do të ketë përkrahje nga tifozët në stadium. Njëjtë ishte edhe në Tiranë, të pranishëm ishin vetëm mbështetësit e Shqipërisë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka konfirmuar në një emision televiziv se ka marrëveshje për këtë.

“Në një marrëveshje, ne nuk kemi pranuar që të kemi tifozë serbë në Shqipëri dhe as ata të kenë tifozë shqiptarë në stadium”, ka thënë Duka të hënën mbrëma.

Kjo deklaratë e Dukës është përcjellë të martën e të mërkurën thuajse në të gjitha mediat në Serbi.

Stadiumi në Leskovc ka kapacitet prej 8000 ulëseve dhe pritet të jetë i mbushur për ndeshjen e 11 tetorit. Natyrisht, presioni ndaj Shqipërisë pritet të jetë i madh, ndërkohë që ndeshja është vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues në Botëror.