Futboll

Mbrojtësi i Kosovës largohet nga klubi ku u rrit

Mirlind Kryeziu

Mbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu, do të largohet në fund të edicionit aktual nga Zuerichu. Kryeziu 28-vjeçar, ka refuzuar vazhdimin e kontratës, ka njoftuar të martën klubi elitar i Zvicrës.

“Kryeziu dhe Ifeanyi Mathew kanë refuzuar ofertat për vazhdimin e kontratave dhe kanë vendosur për një sfidë të re”, shkruan në njoftimin e klubit.

Mbrojtësi shtatlartë iu bashkua Zurichut në moshën shtatëvjeçare. Ai luajti për të gjitha grupmoshat e Zurichut.

Në vitin 2017 debutoi në ekipin e parë, kurse një vit më vonë, 28-vjeçari fitoi Kupën e Zvicrës. Me Zurichun në vitin 2022 u bë kampion.

Gjatë 21 viteve, Kryeziu ishte huazuar te Bieli dhe Kriensi. Për ekipin e parë të Zurichut ka shënuar dhjetë gola dhe ka asistuar pesë herë në 163 ndeshje.

Ai për Kosovën ka luajtur dhjetë ndeshje. Para se në vitin 2021 t’i bashkohej “Dardanëve”, Kryeziu luajti për Zvicrën deri në grupmoshën U20.